Turqia ka kërkuar zyrtarisht që Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që të ndryshohet emri i vendit nga Turkey (në anglisht) në Türkiye. Njoftimi u bë nga ministri i Jashtëm, Mevlut Çavusoglu.
Ndryshimi synon që t’i japë Turqisë emrin me të cilin vetë turqit e thërrasin kombin e tyre, duke eleminuar, të paktën në dokumentacionet ndërkombëtare variantin anglofon të tij.
Kjo do të thotë se Turqia nuk do të njihet më ndërkombëtarisht si “Turkey”, por “Turkiye”.
Emri Türkiye “përfaqëson dhe shpreh kulturën, qytetërimin dhe vlerat e kombit turk në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në dekretin e Erdoganit.
Në një fjalim për mediat turke, ministri Çavusoglu tha se “Ankaraja do u dërgojë një letër zyrtare të gjithë aktorëve ndërkombëtarë të martën dhe pret që ndryshimi të bëhet zyrtar pas kësaj jave”.
Ai shtoi gjithashtu se OKB-ja është “gati” për ndryshim dhe Ankaraja ka inkurajuar ndryshimin në Turqi që nga versioni anglisht i emrit të Turqisë deri në pjesën më të madhe të korrespondencës së saj ndërkombëtare, duke përfshirë lajmet e politikës së jashtme.
Lëvizja e riemërtimit pasoi një dekret të lëshuar në dhjetor nga presidenti Recep Tayyip Erdogan për të ndryshuar emrin në Türkiye në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, midis gjuhëve të tjera, duke përfshirë etiketimin e produkteve të eksportit.
Ndryshimi i emrit nga një vend nuk është aq i pazakontë sa mendohet. Arsyet mund të jetë të ndryshme, por kryesisht lidhen me përpjekjet për të ruajtur identitetin, krijuar një imazh më pozitiv ndërkombëtar, apo thjesht për çështje politike.
TRT citon shembullin e Holandës, që vendosi që ndërkombëtarisht të njihet vetëm si “Netherlands”, apo ndryshimi i emrit të Maqedonisë, që e bëri Maqedonia e Veriut për shkak të konfliktit me Greqinë.
Mes vendeve që kanë ndryshuar emrin janë edhe Irani, që në 1935 iu rikthye emrit të vjetër Persia, për të rikthyer Iran pas revolucionit islamik të 1979-s.
Në rastin e Turqisë, “Turkiye” është emri që përdoret në turqisht, ndërsa varianti anglisht “Turkey”, përveç identifikimit të kombit turk dhe hapësirës gjeografike ku shtrihet Turqia ka edhe kuptime të tjera.
Sipas Fjalorit të Kembrixhit, fjalë “turkey” do të thotë edhe “gjel deti”, “diçka që rrëzohet keq”, “budallallëk”, apo “person qesharak”.
Pjesa më e madhe e turqëve, sipas anketave të zhvilluara ndër vite e mbështesin këtë ndryshim, që e cilësojnë si në linjë me objektivin për të përcaktuar se si të tjerët duhet ta quajnë vendin e tyre dhe jo si është kushtëzuar nga një gjuhë e huaj, në këtë rast anglishtja.
o.j/dita