TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Shqipëria edhe këtë vit është e pranishme në panairin “Fruit Logistica 2023” në Berlin të Gjermanisë, panairi më i madh për frutat dhe perimet që organizohet në Evropë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shkruan se produktet e freskëta të Myzeqesë konkurrojnë në panairin më të madh ndërkombëtar të fruta-perimeve “Fruit Logistica” në Berlin.

Për të pestin vit radhazi në “Fruit Logistica” në Berlin merr pjesë me një stendë moderne edhe kompania më e madhe e grumbullimit të fruta-perimeve në Ballkan “Doni Fruit”.

Në ditën e parë stendën e Shqipërisë dhe të “Doni Fruit” e kanë vizituar qindra vizitorë.

Panairi “Fruit Logistica” është një nga vendtakimet dhe pikënisjet e rëndësishme për marrëdhënie tregtare të qëndrueshme për frutat dhe perimet me vendet e BE-së.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.