TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në plazhin e Velipojës gjatë kësaj jave po bëhet ndarja në terren e parcelave për subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e stacionit të plazhit në këtë zonë.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci theksoi se “ky proces po realizohet bazuar në planvendosjet e lëshuara nga ana e bashkisë”.
“Problematikat në mospërputhjen e vijës bregdetare në terren me atë në hartën e miratuar, apo spostimit të disa subjekteve po zgjidhen vullnetarisht dhe këtë proces do ta lehtësojë edhe pajisja e ekipit të punës me GPS”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.
Kryebashkiaku Beci përgëzoi Agjencinë Rajonale të Bregdetit, bashkinë Shkodër, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit, dhe veçanërisht prefekten e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, për bashkëpunimin e treguar, që siç u shpreh ai, do të ndikojë në mbarëvajtjen e këtij sezoni.
Subjektet kanë aplikuar në platformën qeveritare “e-Albania” për marrjen e lejes për shfrytëzimin e parcelave të plazhit gjatë sezonit veror.
/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
![](https://www.ata.gov.al/wp-content/uploads/2018/03/dosier.png)