Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Rama ndan pamjet mahnitëse: Nuk janë nga Maldivet as nga Mauritus, po nga Divjaka

TIRANË, 18 gusht/ATSH/ Vija e gjatë bregdetare me rërë të butë dhe brezi i pyjeve me pisha e bëjnë Divjakën ideale si për turizmin familjar edhe për atë të aventurës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga plazhi i Divjakës, ku pushuesit mund të shijojnë “relievin” bregdetar të krijuar nga baticat dhe zbaticat e detit.

“Pamje mahnitëse, që nuk është as nga plazhet e famshme të Maldiveve e as ato të Mauritius, po nga Divjaka”, shkruan Rama.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.

Kulla panoramike, varkat për të shëtitur vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pylli i gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në vijën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.