TIRANË, 10 shkurt /ATSH – I. Vata/ Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK kërkon 13 vite burg për kunatin e biznesmenit Rezart Taçi, 12 vite për shoferin e tij, si dhe sekuestrimin e shuma prej 18 mln eurosh.
Në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 09.02.2023 është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës për çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Artur Balla dhe Bledar Lilo, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
“Në këtë seancë gjyqësore, Prokuroria e Posaçme, në diskutimin përfundimtar, ka kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla, për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar “deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo, për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të proçedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim”.
SPAK ka kërkuar edhe “konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme”.
“Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen procedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë”, njofton SPAK.
/gj.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.