TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, që do të zhvillohet në datën 11 shkurt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.
Sipas policisë, do të bllokohet qarkullimi në disa segmente rrugore, si dhe për bllokimin e pjesshëm të qarkullimit në disa segmente të tjera rrugore.
“Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga ora 06:00 e datës 11.02.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit”, thekson Policia.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Policia garanton qytetarët se, ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi.
/k.s/ /gj.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.