TIRANË, 11 prill/ATSH/ Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shpalli sot vendimin për kërkesën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosje të sanksioneve administrative ndaj personave përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike për të cilët është konstatuar shkelje e dispozitave ligjore.
Me shumicë votash, KAS pranoi pjesërisht kërkesën e Komisionerit dhe vendosi sanksion administrativ në masën 5.000 lekë për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për mosraportim të veprimtarive me karakter publik.
Po ashtu për mosraportim të veprimtarive me karakter publik, KAS sanksionoi në masën 5.000 lekë Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Poliçan; në masën 7.000 lekë Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Lezhë, në masën 5.000 lekë Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Bulqizë; në masën 5.000 lekë Drejtorin e Koordinimit dhe Statistikave në Bashkinë Elbasan.
Gjithashtu, KAS shqyrtoi elementët e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës të Komisionerit për vendosje të sanksioneve administrative ndaj personave përgjegjës për raportimin e veprimtarive me karakter publik, të cilët janë konstatuar në shkelje të dispozitave ligjore.
/m.m/ /gj.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.