TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duke nisur nga muaji prill, të gjithë mjekët specialistë të sistemit shëndetësor në vendin tonë do të marrin 50 mijë lekë më shumë në pagën e tyre.
Në punimet e Kongresit të Shëndetësisë që nisi sot punimet në Tiranë, Kryeministri informoi po ashtu se pagat për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët do të rriten me 7 %.
“Në këtë prill, mjekët specialistë do marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre. Do të mbajmë zotimin për 7% për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët. Po përgatisim rritje proporcionale me këtë të mjekëve specialistë dhe në hyrje të 2024 edhe për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët një rritje të ngjashme”, deklaroi Rama.
Ai u shpreh se nga vitit 2013 pagat e mjekëve janë rritur me 63 %.
“Ne i kemi rritur pagat me 63% nga viti 2013. Kjo nuk mjafton dhe ndërkohë që gara bëhet gjithnjë e më e ethshme na dikton që të shpejtojmë. Siç ju e dini, jeta është ajo që ndodh kur ne jemi duke bërë plane të tjera. Autonomia spitalore është një mekanizëm i ri që ka filluar të testohet tani në spitalin memorial dhe do krijojë mundësinë që të këtë në sistemin tonë shëndetësor paga më të mira, por jo të barabarta. Autonomia do iu rrisë pagat atyre që punojnë më shumë, që bëjnë më shumë operacione, vizita. Por ndërkohë duhet të garantojmë pagë më dinjitoze tavan”, u shpreh Rama.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.