Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Begaj në Forumin e Prespës: Koha që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin përgjegjësitë historike të normalizimit të marrëdhënieve

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në sesionin me temë “Paqja dhe demokracia kundrejt luftës dhe autokracisë”, në kuadër të pjesëmarrjes në edicionin e tretë të “Forumit të Prespës për Dialog”.

Në këtë sesion ishin të ftuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenber, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç si dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Në fjalën e tij në këtë sesion, Presidenti Begaj vlerësoi efektet pozitive të prodhuara nga Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, por mbi të gjitha për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe zgjerimit të hapësirës së sigurisë euroatlantike.

Begaj e konsideroi kurajon dhe vizionin e liderëve që arritën këtë marrëveshje një shembull shumë të mirë për të gjithë rajonin.

Gjithashtu, duke iu referuar agresionit brutal ushtarak rus, të paprovokuar e të pajustifikuar ushtarak rus në Ukrainë, ai nënvizoi se efektet e këtij agresioni janë të shumëfishta, duke evidentuar në mënyrë të veçantë efektin e drejtpërdrejtë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke iu referuar Kosovës dhe dakordësisë publike të arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, Begaj, nënvizoi se askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, pasi Kosova është një realitet i politik i pakthyeshëm.

Ndërsa, duke iu referuar marrëveshjes së Prespës, Begaj nënvizoi se është koha e duhur që liderët e Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin përgjegjësitë historike, për ta çuar përpara procesin e pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis tyre.

Begaj vlerësoi gjithashtu edhe zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe influencën e tyre në proceset demokratizuese, duke nënvizuar, se nga historia kemi mësuar se demokracia nuk është e pakthyeshme dhe tolerimi apo mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar në mbrojtje të institucioneve dhe vlerave demokratike e bën kalimin nga demokracia në autokraci thjesht çështje kohe.

Në mbyllje të fjalës, Presidenti  bëri thirrje për përcjelljen e një mesazhi të përbashkët të liderëve nga ky forum, duke nënvizuar, se pavarësisht situatave gjeopolitike, e ardhmja e rajonit do të jetë në familjen evropiane dhe euroatlantike.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.