Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

“Luajmë dhe vallëzojmë”, fëmijë nga vendet e rajonit atmosferë festive në Durrës

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Fëmijë nga vendet e rajonit e më gjerë u mblodhën në fundjavë në qytetin bregdetar të Durrësit për edicionin e 26-të të festivalit ndërkombëtar “Luajmë dhe Vallëzojmë”.

Të veshur me kostumet tradicionale të vendeve të tyre fëmijët krijuan një atmosferë festive për dy ditë me radhë në sheshin “Liria” në Durrës.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky festival, ku fëmijët shpalosën përpara artdashësve të shumtë më të mirën e folklorit nga vendet që ata kishin ardhur.

“Durrësi është kthyer jo vetëm në kryeqytetin e turizmit, por edhe atë të fëmijëve që vijnë nga vende të ndryshme. Qindra fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Rumania, Bullgaria, Ukraina, Kirgistani etj, shpalosën folklorin e tyre nëpërmjet lojërave, këngëve e valleve popullore në sheshin “Liria” përpara qytetarëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë Durrësin”, tha Sako.

Edicioni i 26 i festivalit “Luajmë dhe Vallëzojmë” solli në Durrës vlerat më të mira folkloristike të vendeve të rajonit e më gjerë, si pasuri e çmuar kombëtare e popujve.

Tradita e bukur e krijuar nga ky festival, të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës vazhdon të mbledhë çdo vit në qytetin 3000-vjeçar me qindra fëmijë nga shtete të ndryshme të botës, të cilët shpalosin para artdashësve më të mirën nga folklori i vendeve nga vijnë.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.