MOSKË, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev sugjeroi se Rusia duhet të ndërtojë dhe modernizojë mijëra tanke në përgjigje të ndihmës ushtarake që po ofrohet për Ukrainën, pothuajse saktësisht një vit pas pushtimit të urdhëruar nga Moska.
Rusia sulmoi Ukrainën gati një vit më parë dhe qeveria e Kievit që atëherë ka kërkuar armë dhe tanke të sofistikuara nga fuqitë perëndimore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ishte sot në Bruksel dhe më parë vizitoi Britaninë e Madhe, ku i kërkoi qeverisë britanike avionë luftarakë për t’u mbrojtur kundër rusëve, pasi theksoi nevojën për tanke.
“Siç e dini, dje kundërshtari ynë u lut për avionë, raketa dhe tanke”, tha Medvedev ndërsa vizitonte kompaninë e specializuar në prodhimin e armëve “Omsk”. Medvedev aktualisht është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
“Është e qartë se në këtë rast është e natyrshme që ne të rrisim prodhimin e llojeve të ndryshme të armëve dhe pajisjeve ushtarake, duke përfshirë tanket moderne”, tha ai.
“Po flasim për prodhimin dhe modernizimin e mijëra tankeve”, shtoi ai.
Medvedev, i cili ishte president i Rusisë nga viti 2008 deri në vitin 2012, konsiderohet si një i besuar i ngushtë i presidentit aktual rus, Vladimir Putin dhe një mbështetës absolut i luftës kundër Ukrainës. //a.i/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.