TIRANË, 21 mars /ATSH/ Në Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel Shqipëria akordoi 1 milionë euro për të mbështetur rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti shkatërrimtar në Turqi dhe Siri.
Zv/kryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar nga Komisioni Europian dhe nga Presidenca Suedeze.
Në një videomesazh pas konferencës, Balluku u shpreh se “populli ynë e ka provuar gjatë 2019-ës se sa e rëndësishëm ishte solidariteti i treguar nga të gjitha shtetet sidomos nga shteti turk, që nisi menjëherë skuadrat e shpëtimit”.
“Ashtu kemi bërë edhe ne, që në momentin e parë duke dërguar një nga skuadrat tona më të përgatitura për shpëtim dhe njëherazi dhe një skuadër me mjekë dhe infermierë”, tha ajo.
“Por sot në Konferencën e Donatorëve ne shprehim gatishmërinë për të mbështetur me një fond prej 1 milion euro rindërtimin në zonat e rrënuara nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Është një shumë modeste por ne sot tregojmë solidaritet por edhe respektin tonë për popullin vëlla turk dhe sigurisht për bashkëpunim midis dy qeverive duke nisur nga niveli i bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik dhe për t’iu gjendur pranë në këto ditë të vështira si këto”, u shpreh Balluku.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.