DAMASK, 10 shkurt /ATSH/ – Mijëra njerëz janë ofruar të adoptojnë vajzën, e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veriperëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës, sipas BBC.
Kur ajo u shpëtua, foshnja Aya, që në arabisht përkthehet ”mrekulli”, ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës.
Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris.
Aya tani është në spital.
“Ajo mbërriti të hënën në një gjendje të keqe, kishte fryrje, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”, tha Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.
Ajo tani është në gjendje të qendrueshme.
Videot e shpëtimit të Aya u bënë virale në rrjetet sociale.
Pamjet treguan një burrë duke vrapuar nga mbeturinat e shembura të një ndërtese, duke mbajtur një foshnjë të mbuluar me pluhur.
Mijëra persona në rrjetet sociale kanë kërkuar tani detaje për ta adoptuar atë.
“Do të doja ta birësoja dhe t’i jepja një jetë të denjë”, tha një person.
Një prezantuese televizive kuvajtiane tha se “unë jam gati të kujdesem dhe të birësoj këtë fëmijë… nëse procedurat ligjore më lejojnë”.
Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë dhjetëra telefonata nga gjithë bota që duan të birësojnë Ayan.
Attiah, i cili ka një vajzë vetëm katër muaj më të madhe se ajo, tha se “unë nuk do të lejoj askënd ta birësojë atë tani. Derisa të kthehet familja e saj e largët, unë po e trajtoj atë si fëmijën tim”.
Për momentin, bashkëshortja po e ushqen me gji së bashku me vajzën e tyre./ a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.