Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Kërcënuan grupin e xhirimit, shpallen në kërkim 3 shtetas

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Policia e Krujës shpalli në kërkim 3 shtetas, pas rastit të transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”.

Këta shtetas gërryenin basenin e lumit Zezë dhe merrnin në kundërshtim me ligjin, inerte nga ky lumë në fshatin Verjon, Fushë Krujë dhe në bashkëpunim me shtetas të tjerë, u konfliktuan me grupin e xhirimit të këtij emisioni dhe i kërcënuan me armë gjahu.

Policia shpalli në kërkim shtetasit: E. K. (drejtuesi i ekskavatorit), G. K., 30 vjeç dhe H. V., 30 vjeç, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërcënuar grupin e xhirimit, duke qëlluar me armë gjahu, në basenin e lumit Zezë.

Po në kuadër të veprimeve të para hetimore të kryera për këtë rast, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për shtetasit: A. L. (drejtuesi i kamionit) dhe E. Gj. (drejtuesi i kamionit), për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

Gjithashtu, këtyre shtetasve iu sekuestruan mjetet e tonazhit të rëndë që përdornin në basen.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisën hetimet për shtetasit E. B. dhe F. Sh. (punonjës të IKMT-së, Drejtoria Rajonale Durrës), pasi duke qenë përgjegjës për monitorimin e kësaj zone, dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit shprehet se mbetet e gatshme për të trajtuar me profesionalizëm, paanshmëri dhe në kohë, çdo denoncim që vjen nga gazetarët apo qytetarët, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe luftën ndaj paligjshmërive në çfarëdo formë të shfaqjes së tyre. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.