TIRANË, 27 mars/ATSH/ Tirana mirëpriti në fundjavë 45 universitete italiane dhe 20 universitete vendase, falë organizimit të Institutit Italian të Kulturës, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, priti në një takim në ambientet e MAS, rektorin e Universitetit të Peruxhës, prof. Maurizio Oliviero, përfaqësues të stafit akademik, si dhe dekanin e Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. Armand Vokshi.
“Së bashku zhvilluam një takim ku fokusi kryesor ishte procesi i ndërkombëtarizimit, mundësitë e aktivizimit të programeve të përbashkëta dhe të dyfishta të studimit, shkëmbimi i stafeve akademike si dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit”, tha Tole.
Zv/ministrja Tole u shpreh se “një objektiv parësor i Strategjisë së Arsimit 2021-2026 është procesi i ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, si një mekanizëm që rrit bashkëpunimet e universiteteve me institucionet pjesë të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, në funksion të shkëmbimeve të stafeve akademike, administrative, studentëve, zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore, aktivizimit të programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimit të përvojave më të mira, me qëllim rritjen e cilësisë në arsim”.
/k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.