BRUKSEL, 10 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por theksoi se ”një lëvizje e tillë definitivisht nuk do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme”.
”Kërkesat për trajnim, ndër të tjera, nënkuptojnë se do të zgjasë më shumë”, tha sot ai, pas një samiti të BE-së në Bruksel, ku mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Macron tha se avionët luftarakë nuk ishin ato që i duhen Ukrainës tani në luftën kundër Rusisë.
”Më e rëndësishme, për shembull, është artileria shtesë”, tha ai.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se dorëzimi i avionëve luftarakë “nuk ishte një temë diskutimi”.
Qeveria sllovake kishte qenë më pozitive në lidhje me kërkesën e përsëritur të Ukrainës për avionë luftarakë.
Zelensky kishte kërkuar drejtpërdrejt nga vendi fqinj avionë luftarakë të tipit sovjetik ”MiG-29”.
Kryeministri sllovak Eduard Heger i premtoi Zelenskit se ”do të punonte për përmbushjen e kësaj dëshire”, sipas një bisede të shkurtër mes dy politikanëve të publikuar nga zyra e qeverisë në Bratislavë.
Heger i tha agjencisë sllovake të lajmeve TASR se një procedurë konkrete për dorëzimin e avionëve luftarakë do të sqarohej jo vetëm brenda Sllovakisë, por edhe në nivel evropian, sepse Sllovakia do t’i dorëzonte Ukrainës ”MiG-29”, nën një mekanizëm financimi të BE-së./ a.jor.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.