MITROVICE, 24 shtator /ATSH-DPA/ – Një grup i paidentifikuar luftëtarësh që mbanin pajisje ushtarake hynë në veri të Kosovës dhe përfunduan në një përleshje me policinë, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Janë të paktën 30 burra, të armatosur rëndë, me uniformë, ushtarakë apo policë profesionistë, të cilët janë të rrethuar nga forcat tona policore në fshatin Banjskë”, tha Kurti, i cili u bëri thirrje të dorëzohen.

Policët kosovarë kanë përfunduar në përleshje me grupin në orët e para të mëngjesit të së dielës. Ministria e Brendshme e Kosovës tha se një oficer u vra dhe një tjetër u plagos nga të shtënat.

Sipas Ministrisë, sulmuesit i zunë pritë policëve, të cilët u vunë nën zjarr gjatë hetimit të dy kamionëve pa targa të parkuar në urë për të bllokuar hyrjen në Banjskë, afër qytetit të Mitrovicës. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.