Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Trupi i ish-Presidentit Nishani mbërrin në Shqipëri, nderohet nga policia kufitare në Morinë

Trupi i pajetë i ish-Presidentit Bujar Nishani ka mbërritur në atdhe. Në orët e mbrëmjes makina me arkëmortin kaloi pikën e kufirit të Morinës mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni të improvizuar, forcat policore të pikës kufitare në Morinë nderuan ish-presidentin.

Arkëmorti do të vendoset në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, ku familjarët sot do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës. Homazhet në nder të ish-presidentit do të zhvillohen përgjatë dy ditëve, 1 dhe 2 qershor në ambientet e Presidencës.

Të enjten zhvillohen homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit. Trupi i ish-presidenti do të përcillet në banesën e fundit i shoqëruar nga një kortezh mortor deri te Ura e Lanë e më pas do të përcillet për në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Ish-Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani, ndërroi jetë 3 ditë më parë, pasi prej javësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017, ndërsa bëhet presidenti më i ri në moshë që ka ndërruar jetë në Shqipëri.