Entela RESULI
Botuar në DITA
Doktor Tritan Kalo është një nga mjekët infeksionist më të njohur në Shqipëri.
Ka 41 vite që shërben pranë Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Për qindra mijëra pacientë ka qenë Zoti në tokë, ashtu siç mjekët janë për të sëmurët që marrin përsipër të kurojnë.
Në gjithë këto vite e ka parë sistemin shëndetësor në disa faza, shpeshherë është ndjerë i pafuqishëm për të ndryshuar diçka, pasi ku futet politika, tenderat dhe konçensionet llogaritë bëhen ndryshe mes atyre që vendosin.
Por, Doktor Kalo ka qenë gjithmonë pranë pacientit dhe problemeve të tij shëndetësore, duke u kthyer shpeshherë në mikun e tyre më të mirë.
Ka njohur me mijëra njerëz dhe po ashtu psikologji njerëzore të ndryshme, për pasojë ka marrë më shumë kënaqësi nga fjalët e mira të pacientëve, duke mos u joshur aspak nga ofertat e ndryshme politike që mund t’i kenë ardhur ndër vite.
Dy vitet e fundit, bota, por edhe Shqipëria u përball me një pandemi të egër shkaktuar nga virusi Sars-Cov2/Covid-19. Dr. Kalo ka qenë një nga mjekët që ka mbajtur gjithashtu një peshë të madhe në përballimin dhe shërimin e pacientëve të shumtë që u shtruan në Spitalin Infektiv. Nga ana tjetër, mjeku Kalo nuk ka kursyer asnjëherë kritikat atje ku i ka parë të arsyeshme në lidhje me mënyrën se si po menaxhohej situata pandemike.
Ai nuk bën kompromise dhe për të bluza e bardhë është e shenjtë.
Kopertina e Ditës, 30 Maj 2022
Sot në “Dita” kemi folur me Doktor Kalon për situatën e vështirë që sapo kaluam, për fillimet e profesionit të tij, por edhe për familjen dhe faktin se… është i marrosur pas vendit të tij dhe për këtë arsye nuk e ka braktisur gjithë këto vite, duke shërbyer besnikërisht në vendon tonë.
-Profesor, a ishte kjo pandemi që sapo kaluam një nga periudhat më delikate për sa i përket shëndetit të popullsisë dhe asaj që ju keni kaluar gjatë karrierës suaj?
Në 20 vitet e fundit ne kemi kaluar edhe pandemi të tjera, sikundër ishte ajo e Gripit të Derrit (H1N1) në 2009, por jo me shqetësime të këtyre përmasave për shëndetin e popullatës, si në numër të sëmurësh, po ashtu edhe në ndërlikimet dhe humbjet e jetëve, që u vërejtën te të sëmurët e prekur nga kjo “flamë mbarëbotërore”, pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-Cov2/Covid-19.
-Ditët e para, kur gjithë bota u pushtua nga lajmi i pandemisë, ku informacionet ishin të shumta dhe paniku i lartë, çfarë keni menduar, realisht?
Kam menduar se së pari nuk do të mundemi t’u shpëtojmë valëve të kësaj pandemie, sepse në nocionet moderne të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive, “e gjithë bota është një fshat i vetëm”, dhe së dyti të shpresonim që mundeshim të kishim kohë të mjaftë për të përgatitur si dhe sa duhet infrastrukturën shëndetësore dhe atë të burimeve njerëzore në përballjen me të. Ne rastet e para i kishim në mbrëmjen e 8-9 marsit 2020, pra rreth tre muaj pas rasteve të para të raportuara zyrtarisht në Kinë, Kore, ShBA, Itali, e gjetkë. Ishte një kohë relativisht e mjaftë për t’u përgatitur. Në raste pandemish janë të paevitueshme si lumenjtë e Infedemisë po ashtu edhe ato të Gjithollogjisë, sepse duke perifrazuar një novelë të Kadaresë: “Ra ky Covid-19 dhe u pamë”. Të dyja këto dukuri kanë impakt jo të vogël në mjedisin tonë shoqëror për të yshtur si panikun, por edhe të kundërtën e tij, mosbesimin dhe moskokëçarjen.
-Në syrin tuaj, a e menaxhoi mirë vendi ynë këtë moment të vështirë?
Unë nuk jam një funksionar shteti apo drejtues në strukturat e Shërbimeve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Bazuar në deontologjinë e një ish-anëtari të Komitetit të krijuar në 31 Janar 2020 nga MSHMS për menaxhimin e Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19 nga i cili u shkëputa më 4 Mars 2021, i vetmi mes të 11 anëtarëve të tij pa ndonjë funksion akademiko-ekzekutiv, por thjesht si një specialist Infektolog, mqse ende nuk është bërë asnjë analizë e mirëfilltë shkencore në këtë drejtim në çdo nivel të Shërbimeve të Përkujdesit Shëndetësor, do të preferoja që më qartë dhe më gjerë t’ju përgjigjem në lidhje me këtë çështje në një kohë të dytë. Mos nguroni të më ripyesni sapo analiza të tilla të fillojnë të bëhen. Shkurtazi me një frazë të vetme, do të thosha se pati edhe jo pak mangësi. Nuk është e thjeshtë të përballesh më një pandemi të këtyre përmasave, kur që prej 23.03.1992 janë bërë jo pak çorganizime të organizuara të Shëndetësinë Publike.
-Çfarë na mësoi kjo pandemi, a duhet të kuptojmë se çfarë dhe ku duhet të përmirësohemi nga situata që kaluam?
Na mësoi së pari se: “mendja me mendjen pjell mendjen”. Prej vitit 1985 ishte projektuar një strukturë shtesë prej 80 shtretërish, që do mbahej në gatishmëri në rast të një Epidemie/Pandemie të mundshme. Në atë vit në Konstanca të Rumanisë u shfaq Kolera, dhe kjo ishte arsyeja sepse u alarmuan strukturat qeverisëse të kohës. Sistemi u “demon-kratizua” pas 23.03.1992, dhe bashkë më të vanë edhe disa mendime të dobishme për ardhmërinë e Shëndetësisë Publike të këtij vendi. Në planin afatgjatë të ristrukturimit të QSUNT-së, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive ishte parashikuar të kishte vetëm 56 shtretër. Përballu më pas po munde me kaq pak shtretër në rast të një pandemie tjetër si kjo. I trishtë është fakti se në këtë “studim strategjik” ishin përfshirë jo vetëm “myteberë të administratës shtetërore” por edhe ata që e cilësonin veten “eminenca të Infektologjisë Shqiptare”.
Së dyti, cilësimi i Sistemit Shëndetësor të një vendi, pra edhe i Shqipërisë duhet të mbështetet jo vetëm në ngrehinat apo pajisjet e tyre me teknologjinë bashkëkohore, POR ai duhet të mbështet kryesisht në përgatitjen sa më cilësore të stafeve të të gjitha niveleve të cilat shërbejnë në to, si dhe në mirëtrajtimin shoqëror e financiar të tyre. Në mos, do të vijojmë të kemi përditë e më shumë largime të mjekëve, të infermierëve, të teknicienëve, të imazherisë dhe të laborantëve, të fizioterapeutëve, të farmacistëve, etj, dhe nuk do jetë shumë-shumë e largët dita, kur “na rrofshin” ambulancat, poliklinikat e spitalet moderne tashmë të zbrazura nga stafet e domosdoshme të mirëtrajnuara, dhe të mbushura në mungesën e tyre me individë jo cilësorë.
-A jemi njerëz që harron shpejt dhe… tashmë na duket sikur s’ka ndodhur asgjë?
Në përgjithësi ne si popull shquhemi për një kujtesë historike shumë të shkurtër. Kjo gjë është parë si në rrafshin politik, shoqëror dhe ekonomik, po ashtu edhe në atë të Përkujdesit Shëndetësor, si para edhe pas fillimeve të zhvillimeve pluraliste të vendit. VETNDËRGJEGJSIMI është ende mjaft i çaltë në mesin tonë.
-Po për ju vetë personalisht, si ka qenë kjo periudhë, a keni pasur frikë për shëndetin tuaj apo të të afërmeve?
Ka qenë një periudhë mjaft e ngarkuar si dhe me plot përgjegjësi morale dhe profesionale. Unë jam mjek, por edhe bashkëshort e prind njëkohësisht. Jo se kam ndjerë frikë për jetën time, sepse specialiteti ynë dihet që është më i rrezikuari në botë për specifikën e sëmundjeve të cilat ne mjekojmë, dhe unë e kam bërë me vetëdijesim të plotë këtë përzgjedhje, por shqetësim për jetën e pjesëtarëve të familjes dhe të afërmve të tjerë kam pasur jo pak. Shqetësimi, frika e droja janë njerëzore.
-Profesor Kalo, tashmë keni vite që punoni si mjek, e mendoni ndonjëherë jetën tuaj jashtë këtij profesioni?
Kam filluar punën si mjek stazhier në 2 Korrik 1981 në Spitalin nr.4 të Sëmundjeve Infektive, sikundër njihej para vitit 1992 Shërbimi i Sëmundjeve Infektive të QSUNT-së, dhe sot pas 41 viteve pune aty kam sot për shkak të moshës, një pozitë socio-profesionale të një “pensionshtyri”. Nuk munda të bëja atë rrugëtim në karrierën time profesionale e të dijedhënies, në përputhje me atë çka më ofronte statura e formimit tim të lakmueshëm kulturor e profesional, për shkak të antikonformizmit tim kryeneç si dhe “dashamirësisë” së mjedisit ku kam punuar e kontribuar, POR megjithatë e them me plot bindje se nëse do të kisha mundësinë, të ecja edhe 41 vite të tjera në udhët e jetës socio-profesionale, unë KURRË nuk do ta mendoja veten jashtë punës dhe profesionit të mjekut, të një mantelbardhi. Misionari dhe idealisti nuk bëjnë kompromise pragmatiste/materialiste për trasimin e ecurisë së jetës së tyre.
-Personalisht mendoni se profesioni i mjekut është nga ato profesione që të jep emocione të gjalla dhe reale kur ti arrin një rezultat, kur shpëton një jetë dhe kënaqësia që merrni është po ashtu e madhe. Çfarë marrëdhënie keni me pacientët tuaj?
Për mua çdo i sëmurë ka qenë dhe mbetet një qelizë e trupit tim, të cilin unë dëshiroj të jetë e të funksionoj sa më i shëndetshëm. Komunikimi i hapur me ta, bashkëbisedimi i qartë si dhe durimi për të kuptuar çdo shqetësim të tyre, e më pas për tu shpjeguar arsyet e shqetësimeve shëndetësore që ato kanë, janë mënyra më e mirë për të fituar mirëbesimin e tyre si dhe çelësi i një pune cilësore në profesionin tone, sa të vështirë por po aq edhe të bukur. Duhet durim dhe kujdes për të kuptuar qartë se çdo i sëmurë përbën një “univers më vete”, dhe zbulimi i këtij universi kërkon mund e përkushtim.
-Për pacientët mjeku është Zoti, e ndjeni fuqinë që keni përballë një personi të sëmurë?
Populli gjithmonë është shprehur në lidhje me raportin i sëmurë-sëmundje-mjek, se: “Zoti përpara dhe Doktori pas tij”. Besimi i çdo të sëmuri për t’i atribuuar mjekut, shërbyesit-shërues të tij, atribute hyjnore vjen nga besimi në aftësitë e një individi i cili jo më kot quhet prej lashtësisë doktor (nga Latinishtja “il dotto”, individ i plotësuar më dije dhe me plot aftësi mirëbërëse). Një mirëbesim i tillë shihet qartazi, që në kontaktin e parë me të sëmurin, në mënyrën se si ai ndjek plot kërshëri çdo fjalë dhe çdo gjest tëndin. Një pozicion i tillë i mjekut në sytë e të sëmurëve është tejet inspirues, për këdo nga mantelbërdhët e panjolltë. Ky vlerësim dhe ky mirëbesim nuk duhet kurrë të keqpërdoret, diçka jo fort e rrallë në këto 31 vite demon-kraci e sidomos në këto dy vite e fundit të Pandemisë së Sars-Cov2/Covid-19.
-Doktor, shpesh ju kemi parë aktiv edhe në rrjetet sociale, çfarë ju bën të reagoni, çfarë ju nervozon apo shqetëson dhe mendoni; si ka mundësi që kjo gjë nuk ndryshoi në shoqërinë tonë?
Unë kurdoherë e kam parë veten si një simbiozë ekzistenciale e një qenie profesionale dhe e një qenie shoqërore. Ato mirëplotësojnë njëra-tjetrën, për të qenë i besueshëm në sytë e miqve dhe të dashamirësve të tu. Një profesionist i mirë i veshur me kostumin e mosvëmendjes ndaj dukurive shoqërore rreth tij, përfaqëson në sytë e mi një narcisist, një hedonist “të lustruar profesionalisht” por kurrë një intelektual me thelb idealist si dhe atdhe e progresdashës, për të cilin ka nevojë më shumë se kurrë, shoqëria jonë e trajnuar në udhën e “pafundme të tranzicionit demon-kratik”. Nuk mundem të ndihem mirë nëse rreth meje ka varfëri dhe padrejtësi. Indiferenca dhe konformizmi mundet të të bëjnë të pëlqyeshëm për drejtuesit e këtij vendi, si dhe të mundësojnë ecjen në karrierën profesionale dhe shoqërore, por për mua konformizmi është vesi më i dëmshëm për dike, i cili kërkon të mbetet i ngërthyer për shumë kohë, në mendjet dhe në zëmrat e popullit të tij.
-Ju jeni mjek me influencë në shoqëri dhe gëzoni respekt, kjo gjë vihet re edhe nga ata që na drejtojnë. Kur ju keni reaguar për një çështje të caktuar që nuk shkon në punën tuaj, a ka pasur raste që kanë dashur, si të themi “t’ju marrin me të mira” për të qenë më pak i ashpër në shkrimet tuaja?
Jam përpjekur të mos miklohem në asnjë moment të jetës sime, nga komplimente ose oferta që kanë pasur për qëllim jo promovimin tim meritor socio-profesional, por zhbërjen e antikonformizmit tim. E nisa rrugëtimin tim si një mjek stazhier në Spitalin nr 4 të Sëmundjeve Infektive dhe pak nga pak po e mbyll këtë karrierë po si një mjek i thjeshtë, por tashmë edhe si specialist me 41 vite eksperiencë në tre fusha të mjekësisë: 1- në Infektologji, 2- në Sëmundjet Tropikale dhe 3- në Reanimacionin Mjekësor. Mundësia mu krijua që krahas studimeve në Universitetin e Tiranës, të studioja edhe në Universitetin Paris 7, Francë, një nga 100 Universitetet më elitarë Botërorë si dhe të punoj në “Mekën e Sëmundjeve Infektive e Tropikale në Europë”, në Spitalin “Claude Bernard” dhe në Shërbimin e parë të Reanimacionit Botëror për Sëmundjet Infektive, po në këtë spital. Shumë e vështirë të përballoje një ngarkesë të tillë pune dhe studimesh, por shumë e dobishme në mirëformimin tim shkencor dhe profesional. Një formim i tillë solid më ka mbrojtur nga deformimet karakteriale, si dhe më ka “trashur lëkurën” nga çdo tërheqje karrieriste dhe monetare, për hir të mbylljes së syve dhe të gojës për gjithçka që unë e gjykoja dhe e gjykoj si jo normale në fushën e Shëndetësisë, po ashtu edhe në fushat e tjera të Politikës dhe të Ekonomisë në Shoqërinë tonë Demon-kratike.
-Ka më shumë se 20 vite që sistemi shëndetësor kritikohet, mjekët shpesh akuzohen, ka mungesë ilaçesh, mungesë shtretërish, mungesë stafi, mungesë ambulancash… shumë mungesa. Kaq e vështirë është të ndërtosh një sistem shëndetësor funksional?
Nuk është aspak e vështirë, por që të ndërtosh një Sistem Shëndetësor mirëfunksional, duhet detyrimisht të kesh një Sistem ekonomik jo të brejtur nga tenderat, konçensionet dhe ppp-të korruptive, po ashtu edhe një mirëfinancim të shëndetësisë në një masë jo më pak se 7% të PNB/GDP-së. Në gjykimin tim i duhet lënë më shumë vend stafit të mirëfilltë mjekësor, si në politikëbërje po ashtu edhe në menaxhimin e Ofrimit të Shërbimit Shëndetësor ndaj popullatës. Nuk ka një model botëror perfekt për tu ndjekur në Organizimin e një Sistemi Shëndetësor mirëfunksional, por është e mundur të mirëfuzionosh elementët më të mbrothtë të disa sistemeve, për të kompozuar një model të qëndrueshëm kombëtar.
-Kemi vënë re që shumë mjekë janë joshur dhe kanë pranuar të futen në politikë, keni pasur oferta për tu bërë pjesë e vendimmarrjes së vendit, dhe pse keni refuzuar?
Në një moment të ecurisë së jetës profesionale nëse të bëhet një ofertë, që të heqësh mantelin e mjekut dhe të veshësh “jakëbardhësinë e kostumit të politikanit’, duhet të mendohesh disa herë përpara se të ndërmarrësh një aventurë të tillë. Është e kollajtë të ndotet mantelbardhësija e fisnikërisë së profesionit të mjekut, nga “kurthet” dobiprurëse karrieriste dhe financiare të politikanit, por është pothuajse e pamundshme te rifitohet më pas kjo mantelbardhësi, sidomos pas disa viteve në këtë “zulm lumëmadh të politikës shqiptare”. Kam preferuar që në kujtesën historike të popullit tim të mbetem kurdoherë si Dr. Tritan Kalo.
-Z. Kalo, kur ktheni kohën pas, a keni nostalgji për fillimet e punës tuaj, si kanë qenë ajo kohë dhe çfarë kujtoni?
Kujtoj disa momente mbresëlënëse dhe të vështira për një profesionist të ri në përballjen me epidemi të tilla si Leptospirosa nga L. pommona në 1983, Rubeola në 1984 apo të Etheve Hemorragjike të Kongo-Krimesë në 1985. Më vonë vinë epidemia e Fruthit në 1989, epidemia e Kolerës më 1994 si dhe ajo e Poliomyelitit më 1996. Epidemia e Etheve Hemorragjike të Kongo-Krimesë në 2001 në Kosovë, Pandemia e Gripit të Derrit H1N1 në Kanada, Shqipëri si dhe kjo betejë e tashme me “flamën mbarëbotërore” të infeksionit nga virusi Sars-Cov2/Covid- 19. Çdo ditë e më shumë bindem për faktin se, kudo dhe kurdoherë është e mundshme të bësh punë të mira, nëse e konsideron veten si një i barabartë në mes të barabartëve.
-Ju vini nga një familje mjekësh, apo jeni mjeku i parë në familje?
Prindërit e mi janë shkolluar në Universitetin Politeknik të Bukureshtit, Rumani në fushat e
Inxhinierisë së përpunimit të Drurit, babai, dhe të Gjeologji-Gjeografisë, mamaja. Im vëlla u diplomua si Inxhinier Mekanik në Universitetin e Tiranës dhe më pas bëri një specializim të plotë pasuniversitar në Paris-Metz, Francë. Unë jam i vetmi mjek në familjen time. Gjithsesi, në sojin tim nga mama, daja i vogël Prof. Dr. Ali Molloholli ishte po ashtu mjek, i diplomuar në Pragë, Çekosllovaki dhe i specializuar më pas po në Pragë dhe në Paris në lëminë e Mikrobiologjisë klinike. Në historinë e Mjekësisë ai do të mbetet si Mjeku që prodhoj Vaksinën e BCG-së, Vaksinën kundër Tuberkulozit në Shqipëri.
-Cila është familja juaj?
Familja ime pesëanëtarëshe përbëhet nga imë shoqe Rozeta Kalo, mësuese e Gjuhës Frënge, dhe të tre yjet e mija Besjana (Bessie), Enkeljeda (Keyla) dhe Genta Juna Kalo. Prej 1 Prillit 1997 ne jemi vendosur në Viktoria, Kanada, por unë vijoj të mbetem një “i marrëzuar pas vendit ku më ka lerë koka”, dhe andaj jo rastësisht gjendem këtu.
-A e kanë trashëguar fëmijët profesionin?
Vajzat kanë ndjekur udhët e tyre në jetë, dhe nuk kanë parapëlqyer vetësakrifikimin jetësor e profesional të atit të tyre. Them me plot bindje se jam një baba i kompletuar në jetën time familjare, si dhe një baba shumë-shumë krenar për bijat e mia
-Çfarë këshille do i jepje një mjeki të ri i cili sapo ka përfunduar studimet dhe nesër fillon punë?
Së pari të mendohet shumë përpara së të nisë udhët e formimit profesional si mjek, Së dyti, të studioj cilësisht përgjatë fakultetit edhe pas tij, sepse ose je një mjek cilësor ose nuk je fare mjek.
Së treti, kurrë të mos mendoj se dija është një proces udhëshkurtër për një mjek, por dija mbetet një udhë e gjithëjetëshme për të. Së katërti, suksesi në mjekësi duhet të ngrihet dhe të mbështet vetëm në frymën dhe në punën e grupit, të ekipit. Së pesti, kurrë të mos yshtet para përftimeve karrieriste dhe financiare në dëm të MANTELBARDHËSISË së profesionit fisnik të mjekut.
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016