Pas dështimit edhe të raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ditën e nesërme në orën 14:00 është njoftuar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e Kuvendit bëhet e ditur se do të caktohet data e votimit për raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit.
Nesër pritet që mazhoranca të caktojë datën për votim, ndërsa ende nuk ka një emër publik për kandidat për President. Kryetari i Grupit Parlamentar, të PS, Taulant Balla sot u shpreh qartë se nuk do ta lenë vendin pa President.
Ai deklaroi se procesi po shkon drejt fundit, duke thënë se në raundin e katërt Kuvendi do të votojë propozimin e bërë nga mazhoranca.
Balla u shpreh se do punojë me grupet e tjera parlamentare, me qëllim që propozimi i mazhorancës të marrë sa më shumë vota.
Kujtojmë që opozitës iu dha e drejtë për të propozuar kandidat për President në tre raundet e para, po kjo gjë nuk ndodhi, pasi sipas Aliebajt, mazhoranca shkeli marrëveshjen e dakordësuar.
a.m/dita