Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Rama: Studentët që financohen nga shteti, detyrim të kontribuojnë për 3 vjet në Shqipëri

TIRANË, 9 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për të gjithë studentët që marrin një shërbim arsimor të lartë me kontribut masiv nga shteti shqiptar, do të zbatohet një politikë e  diferencuar ku të parashikohet detyrimi që të paktën 3 vjet pas studimeve të qëndrojnë në Shqipëri.

Në takimin me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, Rama solli shembullin e studentëve të mjekësisë për të cilët shteti jep kontribut masiv në arsimim.

“Një student mjekësie në Shqipëri i kushton shtetit shqiptar 15 të 16-at e kostos së studimit, ndërkohë që vetë studenti mbulon vetëm 1 të 16-ën e kostos. Bëhet fjalë për një diplomë që ka vlerë shumë të madhe sepse ka një vlerë ndërkombëtare. Shteti shqiptar nuk mund të vazhdojë të paguajë 15 në 16 pjesë të studimeve të një studenti mjekësie nëse studenti i mjekësisë nuk është i gatshëm t’i kthejë Shqipërisë të paktën për një periudhë kohe investimin që Shqipëria bën për të. Shteti shqiptar investon me kontributet e e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për të marrë shërbime gjithmonë e më cilësore. Me taksat e qytetarëve shqiptarë mbulohet pjesa dërrmuese e studimeve të një studenti që paguan një tarifë e cila në raport me koston është simbolike”, tha Rama.

Duke folur për politikën e re që do të zbatohet dhe detyron studentët të punojnë të paktën 3 vite pas diplomimit në Shqipëri, Rama theksoi se “kjo politikë vjen si rezultat i një reflektimi mbi një politikë tjetër që i përket vitit 2007, i ashtuquajturi Fondi i Ekselencës”.

“I ndërtuar me një qëllim shumë të mirë për të mbështetur studentët shqiptarë në universitetet më të mira të botës, ku shpenzimet e studimeve shkonin deri në 70 mijë dollarë në vit, shteti vendosi t’i mbulojë shpenzimet dhe ata të kthehen për të kontribuar për vendin. Fatkeqësisht ky instrument që u ofrohej studentëve të ciklit të parë ose të dytë që studionin në një numër të kufizuar universitetesh të rankuara më të mirat e botës nuk e solli mbrapsht investimin që ata të ktheheshin dhe të paktën për 3 vjet të kontribuonin për Shqipërinë”, tha Rama.

Përkundrazi, sipas tij, “kjo solli të kundërtën pasi paguan taksapaguesit shqiptarë dhe në një masë dërrmuese këta studentë nuk u kthyen më në Shqipëri”.

“Edhe në rastet kur bënin sikur ktheheshin deklaroheshin si të papunë ose sikur janë në sektorin privat me pagë minimale, gjëra të padenja. Nuk i gjykoj pasi bëjnë shkollë super dhe i kanë te dera kompanitë, pagat, koorporatat e mëdha ndërkombëtare që iu kërkojnë të bëhen pjesë e tyre por nga nga ana tjetër ne nuk mund të vazhdojmë të përsërisim të njëjtë gjë duke pritur rezultat tjetër. Të gjitha masat shtrënguese dhe gjyqet nuk do na jepnin rezultat përveç zhgënjimit dhe idesë që ne kemi financuar shtete të pasura përmes këtij fondi. Shqipëria nuk mund të financojë shërbimin shëndetësor gjerman, nuk ka kuptim”, tha Rama.

Për këtë arsye, ai tha se ministrja e Arsimit dhe Sportit solli idenë që të ndryshohet drejtim jo më për ekselentët që studiojnë jashtë, por për ata që studiojnë këtu, në ato degë ku ka nevojë vendi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.