TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot lagjen 18 në Durrës, ku po zbatohet projekti i eficiencës energjetike në fasadat e godinave, që ul me 30% faturën e energjisë.
I shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Kryeministri Rama tha se bëhet fjalë për një projekt rilindjeje të një lagjeje me mbi 1 mijë familje.
“Një projekt rilindjeje e një lagjeje me mbi 1 mijë familje, përmes një projekti të eficiencës energjetike në fasadat e godinave, që ul 30% faturën e energjisë, heqjes së depozitave të ujit nga tarracat, sistemimit të rrugëve të brendshme, si edhe ndërtimit të një parku të madh urban lojërash e rekreacioni, i cili do t’i shërbejë krejt zonës përreth”, tha ai.
Në kuadër të investimeve në lagjen 18 po kryhet rehabilitimi i pallateve, lyerja e tyre si dhe do të hiqen depozitat nga tarracat pasi furnizimi me ujë do të jetë me sistem të qendërzuar.
Investimet në segmentet rrugore të Durrësit, parashikojnë po ashtu edhe rehabilitimin e rrugëve, shtrimin me asfalt dhe vendosjen e sistemeve të ndriçimit dhe gjelbërimit në hapësirat e nevojshme. /j.p/
/m.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.