Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Rama: Emigrimi i bluzave të bardha, në balancë të qëndrueshme

TIRANË, 9 shkurt/TSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se edhe pse qeveria nuk mund ta ndalë trendin e emigracionit, ka detyrën të përpiqet që ta balancojë  aq sa mundet dhe duhet për nevojat e brendshme të vendit.

Në një takim me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, Rama u ndal te fenomeni i emigracionit, i cili sipas tij, është kthyer në problem edhe në vende të zhvilluara.

“Në moshën tuaj unë kam jetuar në një vend që nuk mund të zgjidhje realisht as se ku do të punoje në aspektin gjeografik brenda vendit, sepse të detyronin të punoje aty ku kishte nevojë atdheu. Dhe mund të emëronin kudoqoftë, por nuk kishte shans që ti të zgjidhje të largoheshe për të kërkuar të ardhmen tënde diku. Patjetër që ne jemi shqiptarë, kjo është toka e vendlindja jonë, por ne fatmirësisht nuk jemi më qytetarë vetëm të këtij vendi, jemi qytetarë të botës”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se në një botë që fatmirësisht është e hapur për shqiptarët edhe shqiptarët kanë të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjen e tyre.

“Unë nuk i gjykoj keq ata që zgjedhin ndryshe. Edhe unë në një moment të caktuar të jetës zgjodha të shkoj emigrant, pastaj jeta e solli të kthehem përsëri. Nga ana tjetër, sot jetojmë në një kohë që jo vetëm për ne, por edhe për vende më të zhvilluara se ne emigracioni është kthyer në problem. Mjafton të shikojmë Italinë fqinje se si po përballet me një problematikë të jashtëzakonshme të emigrimeve masive drejt Gjermanisë por edhe vendeve në veri të Europës. Ky është një trend që vendet e kanë shumë të vështirë ta kthejnë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “historia e ka treguar se këto trende marrin kohën e tyre, por nuk ka forcë që i kthen me zor, çfarëdo që të bësh”.

“Sigurisht edhe pse jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta ndalim trendin, kemi detyrën të bëjmë përpjekjet tona për ta balancuar aq sa mundemi dhe duhet për nevojat e brendshme të vendit. Vendi ynë ka nevojë për të gjitha shërbimet e shërbimet për njerëz të kualifikuar që nga shërbimet shëndetësore. Pavarësisht se trendi është i tillë që bluzat e bardha po spostohen drejt Gjermanisë e Britanisë së Madhe edhe nga vendet e tjera të Europës, ne nuk mund të pajtohemi me idenë që mund të mbetemi pa mjekë e infermierë. Deri sot balanca është e qëndrueshme edhe pse nuk është një balancë e sigurt për të nesërmen. Detyra jonë është ta bëjmë një balancë të sigurtë”, shtoi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.