TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në Programin e Kodimit për të rinjtë, i hapur në janar të këtij viti, së bashku me aplikimet e të rinjve të qytetit të Elbasanit, numërohen sot 1450 aplikime.
Kështu deklaroi ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, gjatë prezantimit në Elbasan të kurseve të kodimit me mbështetje financiare nga Qeveria Shqiptare.
Në këtë prezantim ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe të rinj elbasanas.
“Diskutuam rreth mundësive që ofron tregu i punës në fushën e teknologjisë së informacionit, duke filluar nga pagat e larta , mundësia për të punuar online për kompani prestigjioze ndërkombëtare e shumë të tjera”, nënvizoi Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Muzhaqi i bëri apel të rinjve të vijojnë aplikimet në mënyrë që të bëhen pjesë e revolucionit teknologjik.
Këto aplikime kryhen në portalin e-Albania në shërbimin “Aplikim për kursin e formimit profesional me mbështetje financiare”.
Programi i kodimit përveç subvencionimit do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.
Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100%.
/k.s/ /gj.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.