Një seminar hibrid “Sektori i Shërbimit dhe CEFTA: Përfitimet e Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s mbi Tregtinë e Shërbimeve”, u mbajt në Tiranë nga Unioni i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Sekretariatin e CEFTA-s dhe Forumin e Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor. Në seminar morën pjesë përfaqësuesit e bizneseve nga sektori i shërbimeve.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ines Muçostepa, Presidente e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, nënvizoi rëndësinë e angazhimit të biznesit me Protokollin Shtesë 6 të CEFTA-s për Tregtinë e Shërbimeve, bashkëpunimin rajonal dhe mundësitë për bizneset në Ballkanin Perëndimor.
Ajo vuri në dukje se rregullat dhe procedurat uniforme të CEFTA-s kanë një ndikim në shkallë të gjerë në lehtësimin e tregtisë jo vetëm me palët e CEFTA-s, por edhe me vendet anëtare të BE-së.
Zdravko Iliç, ekspert i Sekretariatit të CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve dhe ligjërues në seminar, vuri në dukje përfitimet e Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s për të gjithë ekonominë, por edhe për kompanitë shqiptare për të eksportuar shërbime të turizmit, dixhitale, shëndetësore, inxhinierike. Ai theksoi se Protokolli 6 është një bazë e mirë për punën e ardhshme të CEFTA-s dhe lehtësimin e tregtisë në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, aplikimi i Protokollit do të kontribuojë në heqjen e lejeve të punës për kategori të caktuara individësh nga vendet e CEFTA-s, njohjen e licencave dhe kualifikimeve në të gjitha tregjet e CEFTA-s dhe lehtësimin e tregtisë elektronike, etj.
Sipas Arjana Dyrmishi, Drejtoreshe per Politikat e Zhvillimit Ekonomik , proceset e nisura sipas Protokollit Shtesë 6, pritet të krijojnë një treg rajonal më të mirëintegruar për shërbimet, si dhe të krijojnë lidhje më të ngushta me BE-në.
Gjatë diskutimeve interaktive, bashkëbiseduesit folën për mundësitë që ofron Protokolli Shtesë për bizneset në vend dhe rajon, me fokus të veçantë në trajtimin kombëtar dhe heqjen e kufizimeve për aksesin në treg. Potenciali që sektori i shërbimeve u ofron bizneseve përmes Protokollit CEFTA, u njoh edhe në Planin katërvjeçar të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili u miratua në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, në vitin 2020.
Ata argumentuan se tregu duhet t’i nënshtrohet liberalizimit progresiv për të rritur mundësitë për investime në prodhim, për të forcuar konkurrencën, për të rritur punësimin dhe faktorë të tjerë ekonomikë, të cilët do të ndikonin pozitivisht në rritjen dhe zhvillimin ekonomik në rajon.
Ndër shërbimet më të rëndësishme të listuara në marrëveshje janë ato turistike, postare, financiare, njohja e kualifikimeve profesionale, miratimi i një kuadri për njohjen e rregulloreve elektronike dhe heqja e gjeo-bllokimit të pajustifikuar në fushën e tregtisë elektronike.
Pjesëmarrësit e seminarit u prezantuan me mjetet që mund të kontribuojnë në ndërkombëtarizimin e kompanive dhe bizneseve, siç u theksua në disa seri eventesh dhe trajnimesh të organizuara nga WB6 CIF, me më shumë se shtatë mijë pjesëmarrës nga vendet e rajonit.
Në fund, gjatë seminarit u njoftua mbajtja e konferencave të shumta investive deri në fund të vitit, por edhe konkursi i parë për shembullin më të spikatur të praktikës së mirë në rajon.