TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se Shqipëria është e gatshme me të gjitha mundësitë që ka, të mbështesë Turqinë për përballimin e pasojave të tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti.
Peleshi la sot një shënim në librin e ngushëllimeve të hapur pranë ambasadës së Turqisë në Tiranë.
“Të tronditur dhe me kujtimin e kobshëm të natës së 26 nëntorit 2019, u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë në Turqi. Lutemi që shpirtrat e mijëra viktimave të gjejnë paqe, rikuperim të shpejtë për të gjithë të lënduarit. Të gatshëm në mbështetje, me të gjitha mundësitë tona për përballimin e pasojave të kësaj tragjedie”, tha ai.
Sipas raporteve zyrtare të publikuara sot, numri i viktimave të tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, tejkalon deri tani 11 000 persona.
/m.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.