Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Peleg: Shqipëria dhe Izraeli, së bashku për ndërtimin e një ombrelle mbrojtëse kibernetike

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, e cilësoi sulmin e korrikut, një sulm terrorist kibernetik nga Irani ndaj Shqipërisë.

Në konferencën e zhvilluar sot në Tiranë mbi sigurinë kibernetike ajo tha se, “vite më parë ne nuk ishim marrë me fushën e mbrojtjes kibernetike, por tashmë kjo fushë është bërë mjaft e zakonshme për të gjithë, e cila na prek të gjithëve ne dhe është e pamundur ta shmangësh në çfarëdo niveli qofsh. Është mbresëlënëse çfarë po bëni me këtë konferencë dhe jam mjaft e lumtur që jam pjesë e këtij paneli dhe përfaqësoj një vend të vogël dhe pse Izraeli është bërë ekspert për sigurinë kompjuterike. Jam gjithashtu e lumtur që të kemi mundësinë të ndihmojmë shtetin mik tonin, Shqipërinë”.

Peleg theksoi se, “çështja e parë që kam folur me kryeministrin Rama ishte fusha kibernetike dhe unë i premtova që Izraeli do të japë një dorë. Pas vizitës që bëri kryeministri në tetor në Izrael, bashkëpunimi aty vërtetë filloi e u bë më i ngushtë. Pra bashkëpunimi po vijon dhe vizita e zëvendëskryeministres në Izrael kohët e fundit çoi në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit. Ky nivel vullneti për të ndihmuar palën shqiptare nuk kishte ndodhur me shumë shtete të tjera, këtu po flas dhe për vullnet vetjak dhe profesional. Pra të jemi së bashku për të ndërtuar diçka, një ombrellë mbrojtëse kibernetike”.

“Në këtë konferencë u fol për ndërtimin e kësaj mburoje të madhe kibernetike, për të shkëmbyer informacione mes dy vendeve tona dhe kjo është diçka që po ndodh dhe do të vijojë. Duhet të themi që sulmi nga Irani nuk erdhi nga hiçi. Po flasim për një shtet që përveçse i ushtron kërcënime fizike disa shteteve të tjera, përfshirë këtu edhe Izraelin, ata vijojnë të kërcënojnë dhe shtete të tjera, tani në sferën kibernetike. Pra ne duhet ta shohim siç është, ajo që ndodhi këtu në korrik ishte sulm terrorist kibernetik nga Irani ndaj Shqipërisë. Nëse lexojmë përkufizimet apo motivacionet e terrorit është pikërisht kjo që ka ndodhur”, u shpreh ambasadorja.

Ajo theksoi se, “ne po punojmë edhe për mundësinë që të punojmë në mënyrë të treanëshme, Shqipëria, Izraeli dhe shtete të tjera për sigurinë kibernetike, në mënyrë që ne të përmbushim objektivin tonë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të efektshme”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.