PRISHTINË, 8 shkurt /ATSH/ Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, priti sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozin.
Pas takimit, në një konferencë për media, Bulliqi u shpreh se me ambasadorin shqiptar diskutuan për një varg temash për bashkëpunimin ndërmjet Podujevës dhe Shqipërisë.
Bulliqi tha se ajo që diskutuan dhe që mendojnë që në të ardhmen të bëjnë hapa konkretë është çështja e zhvillimit të agrobiznesit.
“Duke qenë një komunë kryesisht agrare dhe një komunë, e cila ka një pozitë të mirë edhe gjeografike, por edhe edhe natyrore, domethënë është një hap i rëndësishëm që mund të bëjmë, duke marrë përvoja nga Shqipëria, për arsye se atje kemi edhe një shkallë relativisht të lartë të zhvillimit të agrobiznesit. Dhe unë besoj që përvojat nga atje tek ne këtu janë shumë të mire se ardhura. Po ashtu, diskutuam për gjetjen e mundësisë së bashkëpunimit në formë të binjakëzimit me ndonjë prej komunave dhe bashkive, të cilat pak a shumë mund të përafrohen me kushtet, të cilat i ka komuna jonë, por edhe sferat tjera të bashkëpunimit.”, tha ai.
I pari i Podujevës potencoi se e informoi ambasadorin Minxhozi për siç tha, një punë të mirë që kanë bërë si komunë, duke hapur këndin arkivor të arkivave të Shqipërisë në komunën e Podujevës.
“Nxënësit tanë, hulumtuesit tanë kanë mundësinë që pa pasur mundësi fare të shkojnë në Shqipëri nga ky kënd i bibliotekës këtu në Podujevë, domethënë kanë mundësi të kenë qasje të barabartë në arkivat shqiptare në hulumtimin dhe studimin e dokumentacioneve të ndryshme. Unë besoj shumë që ky takim I parë, në këtë format me ambasadorin do të jetë një rrugë hapëse e një bashkëpunimi të ngushtë mes komunës së Podujevës dhe po thom Shqipërisë në përgjithësi, po gjithsesi komunave apo bashkive të caktuara, ku vlerësojmë që mund të kem përafrim dhe mundësi në bazë të përvojave të ndryshme.”, tha ai, me ç’rast e falënderoi ambasadorin që e vizitoi Podujevën.
Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, u shpreh i gëzuar që sot vizitoi komunën e Podujevës, për të cilën tha se ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Ai e quajti komunën e Podujevës, komunë me potencë të madhe në të gjitha fushat.
Ambasadori shqiptar tha se kompani nga Shqipëria mund të jenë shumë të interesuara për punë në Podujevë, në zonën e Batllavës dhe më gjerë.
“Jemi shumë të interesuar që tashmë marrëdhëniet midis nesh të kornizohen më tej në fusha të ndryshme të bashkëpunimit. Shqipëria është një vend me kryesisht me turizëm bregdetar, pak turizëm malor, ndërsa Kosova ka tendenca të një zhvillimi të një turizmi kodrinoro-malor, që është shumë, interesant shumë tërheqës, ashtu siç pretenduam dhe bashkë, kompani nga Shqipëria mund të jenë shumë të interesuara për punë këtu në Podujevë, në zonën e Batllavës dhe më gjerë, për të bërë investime të përbashkëta në fushën e turizmit kodrinor, i cili do të ishte një atraksion shumë i madh, jo vetëm për vizitorë nga Shqipëria, por edhe më gjerë. Shqipëria ka një eksperiencë goxha pozitive në këtë dhe mund të afrojë me shumë dëshirë dhe për interes të përbashkët për ta pasur dhe me komunën tuaj.”, tha ai.
Minxhozi u shpreh se me shumë interes ishte që shkolla ekonomike në Podujevë mund të specializohet edhe më tej në profilin e turizmit që Shqipëria ka shumë nevojë. Ai tha se shumë shpejt do të vijnë nga Shqipëria për të bërë plan më të detajuar me këtë shkollë në këtë çështje.
Ai nënvizoi se tashmë Kosova dhe Shqipëria janë të pandashme në fushën e turizmit.
Minxhozi tha se Kosova është një realitet shumë i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Dhe për këtë, ai tha se do të mundohen që qytetarët e Kosovës të jenë jo vetëm pushues në Shqipëri, por edhe forcë shumë e madhe edhe për zhvillimin e vendit.
Ambasadori shqiptar, ndër të tjera, shtoi se e shikon me shumë interes zhvillimin e mëtutjeshëm në të gjitha fushat me komunën e Podujevës që parqet interes shumë të madh./KosovaPress/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.