Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Meta: Aplikacioni “Aktivisti” një skandal, drejtësia të zbardh të vërtetën

TIRANË, 8 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, aplikacioni i PS “Aktivisti”, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, është një skandal.

Në një konferencë për mediat, Meta tha se, “përdorimi antikushtetues i shtetit për qëllime tërësisht elektorale nga ana e kryeministrit është një dëshmi serioze dhe skandaloze e degradimit, e komprometimit dhe e shkallmimit të reformës dhe meritokracisë në administratën publike”.

Ai theksoi se, “pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK”.

“Një vit pas skandalit të patronazhistëve, vjedhjes së të dhënave personale nga Regjistri Publik Shtetëror dhe keqpërdorimi i tyre në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit, duke u përdorur si mjet shantazhi, intimidimi dhe presioni për të siguruar votën dhe mbështetjen, një tjetër skandal ka shpërthyer me të ashtuquajturin aplikacioni “Aktivisti”, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Mijëra punonjës të administratës publike, në shkelje të Kushtetutës e të ligjeve, si dhe në dhunim flagrant të lirive dhe të drejtave të tyre, janë detyruar nëpërmjet presioneve dhe shantazhit të bëhen pjesë e këtij aplikacioni që monitoron like-t, komentet dhe share në rrjetet sociale të postimeve të Edi Ramës dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë. Skandali bëhet edhe më i madh kur zbulohen se, pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera, kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj”, tha ai.

Po ashtu, Meta tha se, “keqpërdorimi i punonjësve të administratës publike dhe institucioneve më të larta të drejtësisë në funksion të propagandës së gënjeshtërt të “Rilindjes” dhe të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nëpërmjet shantazhit, intimidimit dhe presionit, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm”.

“I kërkojmë drejtësisë të zbardhë plotësisht të vërtetën, autorët dhe urdhëruesit e këtij skandali, që përbën jo vetëm veprimtari të ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, por përmban elemente të disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës i konsumuar nga funksionarët, deri te “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore””, theksoi Meta.

“Pas skandalit të patronazhistëve, skandali “Aktivisti” është një tjetër dhunim flagrant i shtetit ligjor, por edhe një krim zgjedhor, që meriton të zbardhet plotësisht. Vendosja e administratës publike nëpërmjet presionit në shërbim të “Rilindjes” dhe shkatërrimi i meritokracisë në kriteret e punësimit është edhe një nga arsyet pse profesionistët, veçanërisht të rinjtë, po largohen nga vendi”, tha Meta.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.