TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Drejtoritë rajonale të arsimit kanë afishuar njoftimet me procedurën dhe afatet brenda të cilit pranohen aplikimet për mësuesit e rinj që duan të fitojnë licencën.
Zyra Vendore Arsimore Tiranë bën të ditur se, i gjithë procesi përmbyllet brenda muajit shkurt, ndërsa provimet parashikohet të mbahen përgjatë prillit.
“Afati i dorëzimit të dokumentacionit do të jetë nga data 1-24 shkurt. Dokumentacioni duhet të depozitohet në rrugë postare, ndërkohë që zyra të tjera procedojnë ndryshe. Për këtë arsye, secili duhet të njihet me zyrën përkatëse të arsimit. Kamza, për shembull, kërkon që personi të paraqitet personalisht me një kartë identiteti për regjistrimin e emrit në listë”, thekson ZVA Tiranë.
ZVA shprehet se, “mësuesit që kanë përfunduar studimet universitare në fushën e mësuesisë, “Bachelor” e “Master” në mësuesi, si dhe plotësojnë kriteret ligjore ftohen të regjistrohen në sezonin e radhës të provimeve të shtetit, i cili do të zhvillohet në muajin prill. Aplikimet tashmë janë hapur dhe të interesuarit duhet të bëjnë gati paketën e dokumenteve deri në fundin e këtij muaji, 24 shkurt”.
Sipas ZVA Tiranë, e njëjta procedurë do të kryhet edhe për kandidatët për mësues që e përsëritin këtë testim.
“Në rast se nuk konfirmohet pjesëmarrja, nuk do të kryhet regjistrimi i tyre për provimin e shtetit”, citohet në njoftimin e kësaj zyre, e cila tregohet e kujdesshme të trajtojë dhe raste të veçanta, siç janë mësuesit që po kryejnë aktualisht praktikën e detyrueshme profesionale, hallkë që duhet ndjekur me patjetër për marrjen e licencës.
“Kandidatët që kanë kryer ose po kryejnë aktualisht praktikën profesionale për vitin shkollor 2022-2023, periudha e dytë dhe e parë, do të regjistrohen mbështetur në listat dhe dokumentacionin e dorëzuar për praktikën profesionale pranë Komisionit të Vlerësimit në njësitë arsimore vendore përkatëse”, thuhet në njoftimin e ZVA Tiranë.
/k.s/ /gj.m/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.