PRISHTINE, 7 shkurt/ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës, sot ka bërë të ditur se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë, që nuk përmban njohjen.
LDK ka kërkuar raportim të kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut.
“Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndryshe, mbrëmë kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova do të pranojë propozimin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi./KosovaPress/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.