TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Kulla “Hupi” në fshatin Lepurakë (Bulqizë), 230-vjeçare mirëpret qindra vizitorë vendas e të huaj.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural publikoi sot në rrjetet sociale pamje të saj, e cila është shndërruar tashmë në destinacion turistik falë mbështetjes së IPARD II.
Julian Hupi, një ish-minator, iu përkushtua realizimit të ëndrrës së tij, shndërrimin e kësaj kulle në një nga atraksionet turistike më të preferuara.
Në sajë të mbështetjes nga AZHBR/IPARD II, u bë e mundur rikonstruksioni dhe krijimi i ambienteve akomoduese sipas një stili tradicional që shpalos vlerat kulturore të kësaj zone.
Kjo kullë ofron për vizitorët ushqim cilësor, me produkte nga ferma e familjes, por edhe nga fermerët përreth.
Terreni malor të jep mundësi për kryerjen e sporteve të ndryshme, kryesisht çiklizëm, por dhe aktivitete të tjera.
Investime të tilla, përmes fondeve të Bashkimit Europian dhe Qeverisë Shqiptare, kanë qëllim zhvillimin e turizmit rural, rrisin aktivitetin ekonomik të këtyre zonave dhe janë kontribuues të rëndësishëm në përmirësimin e ekonomive familjare rurale.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.