Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

ISHMT: Ashensori i paregjistruar, defekti për shkak të mbingarkesës

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Në lidhje me incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në ashensorin e një pallati në rrugën “Teodor Keko”, nga ana e Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut është bërë inspektimi i menjëhershëm duke kryer verifikimet paraprake.

Sipas ISHMT ashensori ka pësuar defekt gjatë funksionimit të tij në kushtet e mbingarkesës me një numër më të madh personash, përtej ngarkesës nominale. Ky incident nuk shkaktoi pasoja të rënda në shëndetin e personave.

“Ky ashensor nuk rezulton i regjistruar pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut. Referuar legjislacionit të kësaj fushe, personi përgjegjës mbi funksionimin e ashensorit (ndërtuesi ose administratori i pallatit) ka detyrimin ligjor për të bërë regjistrimin e tij. Por në rastin konkret nuk ka një aplikim pranë ISHMT-së për regjistrim, ndërkohë që ashensori ka qenë në funksionim që nga viti 2012”, theksoi ISHMT.

ISHMT sqaron se nga ana e e personave përgjegjës (ndërtuesi ose administratori i pallatit) për këtë ashensor nuk ishte kryer ndonjëherë vlerësimi i konformitetit (certifikimi) nga një Organ i Miratuar për Vlerësimin e Konformitetit(OMVK).

“Parashtrojmë se në kushtet kur një ashensori nuk i bëhet vlerësimi i konformitetit me rregullat teknike nga një organizëm OMVK, dhe kur nuk bëhet regjistrimi i tij pranë ISHMT-së duke mos iu nënshtruar në vijim inspektimeve periodike, ashensori realisht konsiderohet i pasigurt dhe nuk lejohet të vihet në përdorim. Në momentin e inspektimit të menjëhershëm nga ISHMT, ashensori i lartpërmendur ishte rivendosur në punë nga personat përgjegjës”, nënvizoi ISHMT.

Inspektorët e ISHMT morën masat urgjente e heqjes nga funksionimi i ashensorit deri në mënjanimin e gjithë të metave teknike të konstatuara, duke përfshirë për këtë edhe një Organ të Miratuar për Vlerësimin e Konformitetit. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.