Investimet e fundit në infrastrukturë, lagjet e reja, ndërtimi i shkollave dhe i kopshteve në kryeqytet ka bërë që në Tiranë të rritet vlera e pronës, por dhe të kthehet në vendin e duhur për shumë kompani ndërkombëtare për të zhvilluar biznes.
Bazuar në të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, rezulton se vetëm Tirana sot vlen sa e gjithë Shqipëria në vitin 2006.
Bazuar në peshën që ka kryeqyteti në ekonominë e vendit, nga një përllogaritje e thjeshtë, rezulton se ekonomia e Tiranës në një vit prodhon rreth 7.2 mld euro.
Në një ditë ekonomia e kryeqytetit vlen 19.8 milionë euro. Prodhimi ekonomik i projektuar i Tiranës si qark këtë vit, prej 7.2 mld euro, është i barabartë me prodhimin ekonomik të të gjithë ekonomisë shqiptare në vitin 2006. Asokohe, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit fiksohej në rreth 872 milionë lekë, ose rreth 7.3 miliardë euro. Kjo përllogaritje i referohet PBB-së me çmimet e tregut me çmime korente.
Ndërkohë, sa i përket prodhimit ekonomik në një ditë të secilit qark, pas Tiranës, në vend të dytë ndjek qarku i Fierit, me rreth 5 milionë euro, Durrësi me 4.6 milionë euro, Elbasani me 3.1 milionë euro, Vlora me 2.6 milionë euro, Korça me 2.5 milionë euro.
Ndërkohë, në fund të tabelës shohim qarkun e Dibrës, që prodhon në një ditë 1.3 milionë euro, atë të Gjirokastrës, 1 milion euro, dhe në fund fare, qarkun e Kukësit, me vetëm 764 mijë euro.
j.l./ dita