Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, paraditen e sotme, zhvilloi një takim me drejtuesit e strukturave të Policisë, në qendër dhe në bazë.
Nano ka falënderuar drejtuesit e strukturave dhe nëpërmjet tyre të gjithë punonjësit e Policisë, për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, për përballimin me shumë sukses të sfidave, veçanërisht finalen e UEFA Conference League, si dhe të shumë operacioneve për goditjen e elementeve apo grupeve kriminale që operojnë në fushën e krimeve ndaj personit, pronës, narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve, lojërave të fatit, korrupsionit etj.
Drejtor Nano ka kërkuar që të mos ulet ritmi në luftën ndaj krimit, por të rritet akoma më shumë forca goditëse dhe të mos ndalojnë operacionet për goditjen e grupeve kriminale.
‘Të bëhet punë policore profesionale, që grupet apo elementet e veçuara kriminale të mos gjejnë qetësi dhe terren të përshtashtëm për të zhvilluar aktivitetin e tyre.
Të vijojë kontrolli i territorit nga toka dhe nga ajri, me dronë, për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Për ato zona që do të raportohen të pastra, por më pas nga monitorimi ajror do evidentohen bimë narkotike të mbjella, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e strukturave policore që mbulojnë këto territore dhe masat do jenë shumë ta ashpra.
Të bashkëpunohet me OSHEE-në, me qytetarët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim që të evidentohen, në rast se ka, ambientet e përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të pajisjeve që furnizohen me energji elektrike. Të zhvillohen kontrolle në të gjitha ato ambiente për të cilat ka dyshime dhe të çohet para përgjegjësisë çdo punonjës i administratës, që mund të jetë i implikuar, në rast se evidentohen raste të tilla.
Jemi në nisje të sezonit turistik, prandaj duhet një angazhim maksimal nga Policia Kufitare, Policia e Rendit, Policia Rrugore dhe Policia Kriminale. Duhet të merren masa për muzikën e lartë, që është shqetësim për banorët, si dhe të ushtrohen kontrolle në të gjithë vijën bregdetare, për të marrë informacione për personelin që punon në lokale, hotele dhe subjekte të tjera, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së turistëve dhe pushuesve.’- tha Nano.
Policia Rrugore duhet të vijojë punën, tha Nano, më të njëjtin intensitet si gjatë këtij muaji, gjatë të cilit, çdo javë janë pezulluar 500-600 leje drejtimi, më qëllim që kjo punë të japë rezultat në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe jo të krijojë te qytetarët përshtypjen sikur Policia Rrugore punon me fushata.
Nano është ndalur edhe te ecuria e testit të drogës për punonjësit e Policisë.
‘Çdo titullar i strukturave vendore të grumbullojë informacion dhe të dërgojë në mënyrë të befasishme për të kryer testin e drogës ata punonjës që dyshohet se mund të përdorin lëndë narkotike. Ky është një proces që do jetë në vijimësi dhe nuk do mbarojë kurrë, ndaj vlerësojeni me shumë seriozitet.’- tha Nano.
Njëkohësisht, Drejtor Nano ka kërkuar nga të pranishmit në mbledhje, që të evidentojnë rastet e konflikteve ndërmjet punonjësve të Policisë dhe t’u japin zgjidhje shteruese, në rast se ka raste të tilla.
‘Në çdo drejtori vendore e strukturë ka psikologë, me të cilët duhet të bashkëpunohet për çdo rast. Me urdhrin e psikologëve, që na kanë premtuar ndihmën dhe mbështetjen, duhet të ndiqen me rigorozitet të gjitha rastet që kanë të bëjnë me ngarkesat psikologjike të punonjësve të Policisë.’- u shpreh Nano.
Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar performancë më të mirë të punonjësve të Policisë, në raport me sjelljen dhe komunikimin me qytetarët dhe gazetarët.
‘Nuk do tolerohet askush që do të abuzojë në këtë drejtim, sepse një veprim individual i punonjësit të Policisë cenon rëndë besimin dhe marrëdhënien e gjithë organizatës me qytetarët, si dhe dëmton imazhin e saj.’- tha ai.