Gjermania do të ndihmojë që tanket e periudhës sovjetike që disponon Greqia të dërgohen në Ukrainë dhe t’i zëvendësojë ato me tanke të reja moderne.
Kancelari, Olaf Sholz tha se ka folur me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis për një marrëveshje të tillë.
Berlini ka bërë një marrëveshje të ngjashme me një numër vendesh që kanë tanke të epokës sovjetike, të cilat mund të përdoren nga ushtarët ukrainas menjëherë pas stërvitjes.
Gjermania ka arritur marrëveshje të tilla me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Poloninë, raporton BBC.
Gjermania po trajnon gjithashtu ushtarë ukrainas për armë të rënda moderne, të cilat më pas do t’i dorëzohen Ukrainës.
Ministrat gjermanë thonë se Berlini po dërgon shumë armë në Ukrainë, duke kundërshtuar përshtypjen që kanë vendet e tjera të cilat thonë se Gjermania nuk po bën mjaftueshëm.
Por disa ministra dhe politikanë kryesorë brenda qeverisë pranojnë se dërgesat janë më të ngadalta dhe më të ndërlikuara nga sa pritej fillimisht.
Ka një presion në rritje në Gjermani që dërgesat të përshpejtohen, të jenë më transparente dhe më të organizuara.
a.m/dita