TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo bashkë me përfaqësues të kompanisë më të madhe të gazit në Azerbajxhan SOCAR dhe drejtues të kompanisë shqiptare të gazit ALBGAZ, zhvilluan sot një sërë takimesh konsultative me përfaqësues të shoqërisë civile, biznese, policinë dhe industritë që operojnë në këtë qytet.
Filo tha se po ecet me hapa të shpejtë drejt konkretizimit të projektit më të madh për Korçën.
“Jam i lumtur që ky projekt shumë i rëndësishëm dhe i shumëpritur për Korçën po ecën me hapa kaq të shpejtë duke e zgjidhur përfundimisht problemin e ngrohjes për banorët dhe duke sjellë mundësi të shkëlqyera për industrinë, investitorët, punësimin dhe mbrojtjen e pyjeve”, theksoi Filo.
Projekti për gazifikimin e Korçës pritet të fillojë gjatë këtij viti, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në qytetin e Fierit. Këto dy qytete janë të parat për këtë projekt për shkak të afërsisë me sistemin e gazsjellësit TAP.
/k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.