TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Rezervati i Menxhuar Balloll në Berat, ka qenë përherë një ekosistem i shëndetshëm, si nga ana e florës, ashtu edhe e faunës.
Stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Berat ka bërë të mundur vendosjen e disa kamerave kurth në zonë, për të përftuar një tablo më të qartë të jetës së egër.
Moratoriumi i gjuetisë, gjithashtu edhe kujdesi i vazhdueshëm i stafeve të zonave të mbrojtura po dëshmojnë çdo ditë rigjenerimin e faunës së egër në vendin tonë.
Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona.
Rezervati i Menxhuar Balloll ndodhet në reliev kodrinor, në lartësitë nga rreth 400-900m, në të dy shpatet e kurrizit malor të Tërpanit.
Llojet e shpendëve në këtë rezervat janë të Rendit Passeriformes (Harabelorët), të përshtatshëm për jetesën në mjediset pyjore/shkurreta. Ndër llojet kryesor faunistik përmenden: Trishtili i madh (Parus major), Trishtili i kaltër (P. caeruleus), Gardalina (Carduelis carduelis), Grifsha (Garrulus glandarius), Qukapiku sirian (Dendropos syriacus), Fishkëllenjësi (Phylloscopus collybita) etj.
Në këto habitate gjendet: Lepuri i egër, Derri i egër, Baldosa, Dhelpra, Ujku, Kaprolli, Macja e egër etj. Zona ka qenë tipike në mbajtjen e Derrit të egër dhe shërbente për popullimin edhe të zonave të tjera përreth.
/k.s/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.