Ditën e sotme, në orën 10:00 do të zhvillohet votimi i tretë për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa nuk ka asnjë kandidaturë. Palët nuk kanë bërë asnjë hap para në negociata, duke bërë që të dështojë edhe raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri, pasi kanë të njëjtat akuza dhe argumenta.
Kjo do t’i hapë rrugën mazhorancës që të zgjedhë vetë kreun e shtetit, duke qenë se konsensusi me opozitën duket i vështirë.
Dje ishte afati i fundit për të depozituar emra, ndërkohë që nesër në orën 10:00 do të mblidhet Kuvendi për të bërë edhe votimin në seancë plenare.
Tashmë ‘barriera’ për 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk ekziston më dhe në raundin e katërt e të pestin, socialistët kanë të drejtë që të zgjedhin presidentin e vendit, por ende nuk ka bërë publik asnjë emër.
Edhe pse në të gjitha daljet e tyre publike kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, sipas tyre, të drejtë e shumë ndryshe nga Ilir Meta. Megjithatë kanë respektivisht edhe nga 2 javë kohë që të dalin në një emër dhe ta votojnë në Kuvend.
Pas përfundimit të afatit, ende nuk ka një reagim zyrtar as nga opozita dhe as nga maxhoranca, e cila ka në zarf kandidaturat e saj për kreun e shtetit, edhe pse ka zgjedhur që gjithçka të jetë e fshehtë dhe asnjë emër të mos “rrjedhë” në media.
Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë bojkotuar procesin, duke e cilësuar si farsë, pasi sipas tyre, Rama e ka emrin e pasardhësit të Ilir Metës.
Ndërsa Enkelejd Alibeaj dhe përfaqësues të tjerë të grupeve parlamentare kanë negociuar me grupin e socialistëve, por kurrë nuk kanë diskutuar për emra.
10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike.
Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual.
j.l./ dita