Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Çështja e kufirit, pjesë nga libri për tokën dhe detin e Shqipërisë

Ksenofon Krisafi

Pjesa 1
Këto ditë në mediat shqiptare, greke dhe më gjerë ka pasur deklarime, shkrime, komente rreth disa çështjeve që u shfaqën ose rishfaqën gjatë vizitës që bëri në Shqipëri ministri grek i punëve të jashtme, greku me origjinë shqiptare Nikos Dendias. Midis tyre është edhe ajo e kufirit detar ndërmjet dy vendeve në ujrat e Jonit.

Redaksia e “Ditës” e gjykoi me vend që të ribotojë disa nga shkrimet e prof. Ksenofon Krisafit, një prej specialistëve më të mirë shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës së detit, ish kryetari i delegacionit shqiptar në negociatat e zhvilluara për këto probleme me Italinë në vitet ’70 të shekullit të kaluar, anëtar i delegacionit shqiptar në punimet e Konferencës së Tretë të OKB Për të drejtën e detit, zhvilluar në vitet 1973 deri 1982, njëkohësisht edhe një nga njohësit e spikatur të historisë diplomatike të çështjes shqiptare. Ato janë përfshirë në librin e tij me titull “Për tokën dhe detin e Shqipërisë”.

Shkrimet në vijim sjellin elementë interesantë që vazhdojnë të ekzistojnë dhe të ndikojnë në trajtimin e kësaj çështjeje me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë. Nga kjo pikëpamje ato tingëllojnë tepër aktuale. Lexuesi dhe jo vetëm ai, mund të orientohet për të kuptuar më qartë kuadrin e saj të përgjithshëm dhe tepër kompleks. Por ai nuk mund të mbajë parasysh se shkrimet i përkasin një periudhe të caktuar kohore dhe një realiteti politik që edhe pse përngjet më atë të ditëve tona, por nuk është identik.

Kësaj here zgjodhëm shkrimin me titullin: Greqia të bisedojë me Shqipërinë mbi bazën e parimeve të barazisë sovrane, të interesit të ndërsjellë, të respektimit të tërësisë territoriale dhe sovranitetit kombëtar

Greqia të bisedojë me Shqipërinë mbi bazën e parimeve të barazisë sovrane, të interesit të ndërsjellë, të respektimit të tërësisë territoriale dhe sovranitetit kombëtar

U bënë disa javë që marrëveshja e anuluar shqiptaro-greke për delimitacionin e shelfit kontinental në Korfuz e në detin Jon, nënshkruar në Tiranë, më 27 prill 2009 dhe hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, në prill 2010, është bërë ndër temat më të debatuara në mediat shqiptare. Shkas u bë një njoftim se Ministria e Punëve të Jashtme, mbi bazën e një urdhëri të lëshuar nga kryeministri në verën e vitit të kaluar, kishte nisur negociatat me palën greke për rishikimin e saj. Shpjegimet e dhëna prej funksionarëve të shtetit në vijim kanë qënë konfuze, të paqarta dhe kontradiktore. Mohimi apo modifikimi i shpeshtë i deklarimeve e ka shtuar edhe më shumë misterin, dyshimin dhe shqetësimin e ligjshëm për rrezikun e ndonjë recidivi tjetër antiligjor, sepse, siç dihet, çështja është tepër delikate. Ajo ka të bëjë me territorin e vendit, i cili gjatë shekujve është zvogëluar ndjeshëm për shkak të aneksimeve sistematike nga fqinjët. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ai cungohej sërish, por kësaj here me pëlqimin e vetë shqiptarëve, duke risjellë në kujtesë tre raste fatkeqe, që lidhen me Esat Pashë Toptanin, i cili në vitin 1913 iu dorëzoi malazezëve Shkodrën, por fatmirësisht pa sukses, me Zogun, që në vitin 1924-1925, iu dha serbve Shën Naumin dhe një pjesë të Vermoshit dhe me Shefqet Vërlacin, që në prillin e 1939, firmosi likuidimin e shtetit shqiptar, të pushtuar nga Italia fashiste, duke formalizuar krijimin e të ashtuquajturit bashkim personal ose bashkim real shqiptaro-italian.

Edhe më parë kam shprehur publikisht vlerësimet e mia si specialist i së drejtës ndërkombëtare për negociatat e zhvilluara tre vjet më parë, për marrëveshjen e anuluar, duke bërë edhe propozime për daljen nga ky impas i padëshirueshem, që ka krijuar një situatë të pakëndshme në marrëdhëniet me Greqinë. Nisur nga sa është shkruar dhe publikuar këto ditë si dhe mbi bazën e njohjes së mirë të çështjes, më poshtë do të parashtroj sërish disa mendime modeste.

Së pari, nuk duhet ngutur për marrjen e nismës për rifillimin e bisedimeve, pa u krijuar kushtet e duhura. Aktualisht mungon klima e favorshme politike në raportet ndërmjet dy vendeve. Gati çdo muaj, madje edhe në ditët më të vështira për Greqinë e mbërthyer nga kriza, për të cilën ne shqiptarët shprehim keqardhje dhe solidaritet, politikanët grekë nuk kanë harruar t’iu kujtojnë politikanëve shqiptarë një detyrim absurd, të paqënë, zbatimin e një marrëveshjeje të hedhur poshtë juridikisht. Kërkohet me kokfortësi të papërligjur zbatimi i një akti që nuk ekziston. Autoritetet greke gjatë pothuajse dy vjetëve e kanë përsëritur deri në mërzi këtë refren. Edhe në ditët e para të korrikut të këtij viti (2012), ministri i jashtëm grek i sapoemëruar, përsëriti shprehimisht: “ne do të ndjekim zbatimin e marrëveshjes së arritur për delimitimin e zonave detare ndërmjet  të dy  vendeve, një marrëveshje e cila u bllokua pas vendimit të mirënjohur të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”.

Kur Greqia e ka bërë të qartë se është në pritje të zbatimit të Marreveshjes dhe jo të fillimit të bisedimeve, me të drejtë lind pyetja përse duhen duhen krijuar grupet e punës apo grupet e studimit që përmenden nga qeveritarët shqiptarë? Për të përmbushur kërkesën ultimative të Greqisë për zbatimin e Marrëveshjes? Athina e di fort mirë se marrëveshja është nul, përndryshe si mund të shpjegohet fakti që gjatë tre vjetëve që kanë kaluar prej nënshkrimit të saj, nuk ka ndërmarrë procedurat e ratifikimit në parlamentin e vet.

Së dyti, i takon palës greke që të marrë inisiativën për fillimin e bisedimeve edhe për faktin se mund të gjëndemi përpara një situate paradoksale. Ndërsa pala shqiptare ndërmerr hapin përkatës diplomatik pala greke mund të vazhdojë të pretendojë që marrëveshja ekziston dhe duhet zbatuar. Madje përpara se ta marrë iniciativën, Greqia duhet të ndërgjegjesohet dhe të deklaroje ose së paku të lejë të kuptohet publikisht se marrëveshja e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, nuk ekziston më. Vetëm kështu ajo do të dëshmojë se ka hequr dorë nga kërkesat insituese për zbatimin e saj. Parimi madhor juridik i ndarjes së pushteteve, siç dihet, nuk e lejon ekzekutivin shqiptar të tejkalojë kompetencat e veta funksionale, të urdhërojë zbatimin e Marrëveshjes së anuluar, duke shpërfillur vendimin e një organi të pavarur, siç është Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi një varg shkeljesh të rënda ligjore. Në vijim ajo duhet të tregohet bashkëpunuese për të koregjuar një varg anomalish që sollën turbulenca jo vetëm në klimën politike në Shqipëri, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Kjo do të arrihet vetëm nëpërmjet rinegocimit nga e para të Marrëveshjes së anuluar dhe jo me arnime të rëndomta. Negociatat duhet të përshkohen nga transparenca dhe të mbështeten në parimet e barazisë dhe të interesit të ndërsjellë të palëve, në respektimin e tërësisë territoriale dhe të sovranitetit kombëtar të tyre. Ato duhet të përjashtojnë mashtrimin, dredhinë, imponimin e kushteve, presionet apo kërcënimet për të diktuar zgjidhje në kundërshtim me interesat sovrane të shtetit shqiptar.

Së treti, pala shqiptare nuk ka motiv për t’u ngutur ne rihapjen dhe trajtimin e kësaj çështjeje. Kjo s’do të thotë se nuk është e rëndësishme dhe nuk duhet rregulluar. Por duhet pasur parasysh se nga pikëpamja profesionale ajo është delikate dhe shumë e vështirë, është nga ato që shtete të tjerë i kanë zgjidhur pas shumë vjet negociatash të vështira, ose nuk i kanë zgjidhur dot dhe ua kanë kaluar institucioneve ndërkombëtare gjyqësore apo arbitrale. Ajo nuk mund të përballohet me direktiva apo porosi nga lartë, as me lëshime “për hir të marrëdhënieve” apo të “nevojave të politikës së ditës”, por vetëm  me profesionalizëm të nivelit më të lartë, me përkushtim dhe me etikë të spikatur qytetare.

Së katërti, qeveria aktuale shqiptare do të ishte mirë që për momentin të mos angazhohej në procedurat për përcaktimin e kufijve të shelfit kontinental dhe zonës ekonomike me Greqinë. Ajo është e paragjykuar nga opinioni për shkak të veprimeve antikushtetuese dhe të mungesës së transparencës të treguar prej saj gjatë negociatave sekrete tre vjet më parë, është “gjykuar” dhe “fajësuar” nga Gjykata Kushtetuese për shkelje që rrezikuan të cenonin tërësinë territoriale të vendit. Gjykata vuri në dukje se ishte cenuar Kushtetuta dhe akte të tjera të legjislacionit të brendshëm si dhe disa konventa ndërkombëtare. Do të ishte mirë që qeveria aktuale t’i shmangej hyrjes në negociata edhe për faktin se është në fundin e mandatit. Një sipërmarrje e tillë kërkon një kohë, e cila tejkalon cakun ligjor të qënies së saj në detyrë. Do të ishte e udhës që rinegocimi i çështjes të ndërmerret nga qeveria që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, ciladoqoftë mazhoranca politike që do ta formojë atë.

Së pesti, le të shpresojmë që ndërkohë do të jenë krijuar edhe kushtet e duhura politike që në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të jenë shmangur qëndrimet ekstreme, presionet në emër të vetos për pranimin në BE, apo në emër të “fshesave”- dëbimeve masive dhe të pamotivuara të emigrantëve shqiptarë në Greqi, kur, nën pretekstin banal të prishjes së kompjuterve, emigrantët shqiptarë që vijnë në atdhe detyrohen të presin në rradhë kilometrike në kufi në acarin e dhjetor-janarit dhe në vapën përvëluese të korrik-gushtit të çdo viti, të refuzimit të hyrjes në Greqi të atyre që guxojne të flasin për të vërtetat e qëndrimeve ekstreme greke, siç ndodhi me tre gjyqtarët e Korçës të cilët dënuan një delinkuent ordiner, që dhunoi ligjet e vendit, duke prishur varret e shqiptarëve për të ngritur monumente false greke, apo me gazetarin e urtë dhe të talentuar Marin Mema etj.

Së gjashti, le të urojmë sinqerisht dhe le të shpresojmë që Greqia të ketë kapërcyer problemet që ka me krizën dhe të ketë përfunduar marrëveshjet apo kontratat për shitjet e disa ishujve apo dhënien me qira të disa porteve, sikurse flitet këto ditë në shtypin grek. Nuk ka kuptim që në një kohë kur detyrohet të nxjerrë në ankand dhe të shesë ishujt e saj, të kërkojë detin e tjetërkujt.

Së shtati, negociatat nuk duhet të fillojnë pa rivendosjen e situatës normale që ishte sanksionuar në legjislacionin shqiptar për kufijtë shtetërorë, situatë e cila u dëmtua nga Ligji Nr.9861, datë 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, që është restauruar vetëm pjesërisht para pak muajsh. Pala shqiptare duhet të hyjë në bisedime e “armatosur” me bazën e nevojshme ligjore përsa i përket shtrirjes së kufirit dhe përcaktimit të vijave bazë të bregdetit. Një proces i tillë legjislativ kërkon kohën e vet  të domosdoshme.

Së teti, pala shqiptare e ka relativisht të lehtë pozitën e vet në raport me palën greke, sepse e ka pothuajse gati platformën e bisedimeve. Në themel të saj duhet të qëndrojnë çështjet, argumentet dhe arsyetimet e trajtuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mjafton që në delegacion të zgjidhen profesionistë të mirëfilltë edhe jo militantë partiakë, të cilët nuk kuptojnë dhe nuk mund të përballojne “betejën” profesionale me përfaqësuesit “trojanë” të palës greke.

Së nënti, në procesin e zgjidhjes racionale e sovrane të kësaj çështjeje një rol i pamohueshëm i takon kryetarit të shtetit. Presidenti i Republikës, në një prononcim të këtyre ditëve tha se nuk është president që të pengojë kryeministrin. Ky pohim duket se demonstron dëshirën e shumëpritur nga të gjithë, që organet e larta shtetërore, po fillojnë më së fundi të bashkëpunojnë institucionalisht. Kjo shprehje besoj se duhet kuptuar që kryetari i shtetit, si përfaqësues i unitetit të popullit, ka parasysh jo vetëm unitetin midis njerëzve që e përbëjnë këtë popull, por unitetin dhe paprekshmërinë e tërësisë së territorit ku jeton ky popull.

Presidenti doemos është i vetdijshem që çështja për të cilën po flitet është veçanërisht e rëndësishme, tepër sensitive dhe hyn me përparësi në kompetencat e tij, përsa kohë që Kushtetuta, garant i së cilës ai duhet të jetë, i ka deleguar atributin e nënshkrimit të marrëveshjeve në emër të shtetit shqiptar. Kjo do të thotë që ai, në përmbushje të misionit institucional e kushtetues, nuk do të hezitojë të pengojë cilindo që, me dashje apo nga pakujdesia, cenon unitetin e popullit dhe tërësinë e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes se shtruar në titullin e shkrimit do t’i referohem një ish ambasadori grek në Shqipëri, i cili pak muaj më parë, duke iu bashkuar politikës së presioneve të vendit të vet për këtë çështje, iu kujtonte shqiptarëve se duhet të respektonin besën e dhënë me nënshkrimin e marrëveshjes dhe të fillonin zbatimin e saj. Duke pretenduar se qëndronte në terrenin e arsyetimeve me ngjyrime doktrinare, thoshte se, sipas së drejtës së traktateve, marrëveshjet janë të detyrueshme. Këtë parim, të cituar edhe në formulën latine pacta sunt servanda, e shqiptarizonte duke e barazuar me fjalën besë. Pra, shqiptarët kanë dhënë besën dhe nuk mund ta prishin atë. Mirëpo, parimi që përmendej prej tij, i referohet marrëveshjeve që janë realisht të tilla. Kurse akti për të cilin flet ambasadori nuk mund të ketë as emrin marrëveshje, sepse nuk ka përmbushur ciklin e plotë juridiko-ndërkombëtar për të hyrë në fuqi. Nuk është ratifikuar nga asnjëra prej palëve. Për pasojë, ka vlerën e një akti arkivor. Ish-ambasadori dhe kushdo që mendon si ai, duhet të mbajë parasysh se e drejta e traktateve ka edhe parime të tjera, ndër të cilat është edhe rebus sic stantibus, që në shqip mund të përkthehet ndryshimi i rrethanave përligj prishjen e marrëveshjes. Kjo do të thotë se edhe duke abstraguar nga realiteti i gjërave, edhe sikur ta pranojmë të mirëqënë marrëveshjen, pra të ratifikuar nga të dyja palët, përsëri, nëse vërtetohet ndryshimi rrënjësor i rrethanave në të cilat ajo është lidhur, apo nëse vërtetohet se ajo është lidhur me mashtrim, dredhi, presione, dhunë fizike ose psihike, gjen vend dhe zbatohet parimi rebus sic stantibus. Ajo anulohet dhe nuk zbatohet.

Çështja për të cilën u fol më sipër e ka natyrisht zgjidhjen e vet. Ajo varet nga autoritetet kompetente të të dy vendeve, të cilat duhet të bëhen shprehëse autentike të aspiratave të popujve të tyre. Populli shqiptar dhe ai grek ushqejnë ndjenja miqësie për njeri tjetrin dhe dëshirojnë të jetojnë në paqe e në fqinjësi të mirë, sipas filozofisë që evokon pikat e takimit gjeografik, historik, politik, shoqëror, lidhjet dhe miqësinë tradicionale si dhe interesat e përbashkëta. Realiteti i deritanishëm, kur pala greke ka pasur dhe ka ekskluzivitetin e partneres së përkëdhelur në këto raporte, duhet të ndryshojë rrënjësisht nëpërmjet zbatimit rigoroz të parimit të barazisë sovrane dhe paritetit korrekt. Deri tani pala shqiptare ka plotësuar pothuajse çdo kërkesë që ka ardhur nga Athina, shpeshherë në shkelje të legjislacionit të saj dhe me kosto politike të papërligjura. Greqia ka insistuar dhe ia ka arritur të imponojë ngritjen e varrezave dhe të komplekseve mortore greke në territorin shqiptar, në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe me Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë të vitit 1977, e ka detyruar qeverinë shqiptare të kryejë regjistrimin e popullsisë duke u mbështetur në vetdeklarimin e të dhënave të përkatësisë etnike e fetare, të pezullojë për një kohë të gjatë zhvendosjen e  depozitave të naftës të shoqërive greke nga porti i Durrësit, të hapë shkolla greke edhe atje ku nuk ka minoritet grek, të sigurojë për sipërmarrjet shtetërore apo private greke koncensione dhe licensa në kushte preferenciale në privatizimin e disa prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare etj. Ndërkohë pala shqiptare ka qënë e traumatizuar deri në ekstrem nga kërcënimet e qarqeve të caktuara greke dhe nga akuzat false për nacionalizëm sa që nuk ka guxuar të shtrojë me vendosmërinë e duhur trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme me interes për të dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon. Lista nis me heqjen sa më parë të një absurditeti juridik, politik e diplomatik, siç është i ashtuquajturi “Ligj i luftës”, që mban peng, traumatizon dhe intoksikon në mënyrë permanente marrëdhëniet shqiptaro-greke. Vazhdon me çështjen çame – një dosje voluminoze, komplekse, e rëndësishme dhe shumë e ndjeshme, me vënien dorë padrejtësisht nga pala greke mbi ujërat e rrjedhës së sipërme të lumit Vjosa dhe devijimin e tyre të përhershëm, në kundërshtim me përcaktimet juridiko-ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave të përbashkëta, me mossqarimin e disa deklarimeve kontradiktore nga pala greke për të ashtuquajturin Ligj i luftës me Shqipërinë, që kanë të bëjnë sidomos me statusin e pasurive shqiptare në Greqi, me ndërhyrjet e herëpashershme të qarqeve politike e klerikale greke në punët e brendshme të Shqipërisë etj.

Eshtë njoftuar se Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të shkojë këto ditë në Greqi. Një lajm shumë i mirë, sepse kontaktet shërbejnë për progresin e marrëdhënieve. Sikurse kanë lënë të kuptohet të zotët e shtëpisë do t’i servirin si një ndër pikat e para të rendit të ditës marrëveshjen e anuluar të 27 prillit 2009. Besohet se duke dëgjuar me vëmendje mendimet e drejtëpërdrejta zyrtare greke për të, duke përfituar nga rasti, ai do të ngrejë dhe do të kërkojë që të gjenden zgjidhjet përkatëse edhe për çështjet e lartpërmendura, me interes të posaçëm për Shqipërinë. Qëndrueshmëria e marrëdhënieve dypalëshe dhe miqësia e sinqertë ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve kërkojnë respektimin rigoroz të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë do të arrihet që komunitete të caktuara të popullit shqiptar të marrin satisfaksionin e merituar moralo-politik dhe ekonomiko-pasuror dhe gjithë kompleksi i lidhjeve të shqiptarëve dhe të grekëve, dy popujve miq, nga më të lashtët e gadishullit dhe të kontinentit, do të çlirohet realisht dhe përfundimisht nga pengjet e një të kaluare që duhet kapërcyer njëherë e përgjithmonë.

Delegacioni shqiptar në bisedimet me grekët të mbrojë interesat e vendit dhe të shtetasve të vet

Ditët e fundit u njoftua se së shpejti do të fillojnë negociatat shqiptaro-greke për trajtimin nga e para të çështjes së kufirit detar midis dy vendeve. Një lajm i mirëpritur gjithësesi, sepse pas një pune të kryer me shumë ngut, me pakujdesi dhe papërgjegjshmëri, të treguara nga ekipi negociator shqiptar, u krijua një situatë e pakëndshme, të cilën e zgjidhi me kompetencë profesionale Gjykata Kushtetuese (GJK). Ajo e shpalli Marrëveshjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Konventën e OKB Për të Drejtën e Detit, duke e shndërruar në një akt juridikisht nul e të paqënë.

Në se vërtetët do të nisin bisedimet, pala shqiptare e ka të lehtë pozitën e vet, sepse e ka pothuajse gati platformën e bisedimeve. Në themel të saj duhet të qëndrojnë çështjet, argumentet dhe arsyetimet e trajtuara në vendimin e GJK. Eshtë rasti që edhe pala greke, e cila pas rrëzimit të Marrëveshjes nga GJK e Shqipërisë, i ka lejuar vetes qëndrime që bien ndesh me parimet themelore që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve, të reflektojë dhe të përpiqet që të sillet si me një vend sovran, por edhe mik e fqinj. Ajo duhet të shmangë deklarime të tilla si Greqia është në pritje të zgjidhjes nga Shqipëria, e cila duhet t’i dalë zot firmës që ka vënë përfaqësuesi i vet në tekstin e Marrëveshjes dhe se ajo i ka dhënë kohë qeverisë shqiptare të gjejë rrugët për të ricikluar Marrëveshjen dhe për ta vënë atë në zbatim etj. Pala greke në këto bisedime nuk duhet të kërkojë sërish koncensione nga pala shqiptare, nuk duhet ta shtrëngojë atë të shkelë kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe të cenojë interesat kombëtare, në emër të marrëdhënieve me fqinjën jugore, e cila ka në dorë veton kundër marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Greqia duhet të tregohet bashkëpunuese për të koregjuar një anomali që solli turbulenca në Shqipëri dhe në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ajo duhet të mirëkuptojë se të kundërshtosh një marrëveshje që është në dëm të interesave kombëtare dhe të kërkosh ribërjen e saj nëpërmjet bisedimeve të tjera, nuk do të thotë se prish marrëdhëniet me vendin fqinj. Përkundrazi, në këtë mënyrë ato rivendosen mbi themele solide sepse ndërtohen sipas parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare që janë barazia, respektimi i sovranitetit dhe tërësisë territoriale etj. Korrektimi i shkeljeve apo mangësive të lejuara nëpërmjet rinegociimit do të prodhojë një Marrëveshje në përputhje me Konventën Për të Drejtën e Detit, e cila kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin reciprok të palëve në dobi të respektimit të parimeve të lartpërmendura dhe përdorimit të hapësirave, ujërave dhe pasurive detare, për të kontribuar për drejtësi, paqe dhe progres të përbashkët./ Vijon në numrin e ardhshëm

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016