Gjetja e zgjidhjes te vaji i misrit, si mundësi e detyruar e qytetarëve për të shmangur për gatim vajin e lulediellit që pësoi rritje të çmimit pas luftës në Ukrainë, nuk i ka shpëtuar tregtarëve abuzues.
Për shkak të rritjes së kërkesës në heshtje, jashtë vëmendjes së bordit që prej 2 muajsh kontrollon vajin e lulediellit, miellin, sheqerin dhe orizin, tregtarët e kanë çuar në stratosferë çmimin e vajit të misrit.
Nëse përpara se të niste lufta dhe kriza e çmimeve, vaji i misrit shitej nëpër supermarkete dhe dyqane ushqimore 240 deri në 280 lekë litri, një vëzhgim i Report Tv zbulon se çmimi sot ka kapërcyer në vlera rekord prej 450-500 lekë për litër.
Në muajin maj vaji i misrit është zhdoganuar me 228 lekë litri, ndërkohë që qytetarët po e blejnë deri në 500-550 lekë, pra 2 herë më shumë sesa çmimi me të cilin importohet.
Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në total nga janari në maj janë zhdoganuar 474.870 litra vaj misri, me çmim mesatar 245 lekë/litri.
Çmimi më i lartë i importit është regjistruar në muajin mars me 366 lekë/litri, muaji ku lufta në Ukrainë, tronditi tregjet ndërkombëtare duke shtrenjtuar menjëherë produktet ushqimore dhe jo vetëm.
Sipas të dhënave të Doganës, Shqipëria nuk ka kontrata importi të drejtpërdrejta me Ukrainën, Rusinë apo Bjellorusinë për vajin e misrit. Dy shtetet prej nga importohet vaji i misrit, janë Italia dhe Turqia, ku vetëm në 5 muaj janë importuar 283,774 litra nga Italia dhe 165,585 litra nga Turqia.
Ukraina që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të vajit të misrit, grurit dhe lulediellit, ka ulur furnizimet në Evropë, edhe shtetet kanë rritur çmimin e këtij produkti, por me dyfishim të vlerës, siç po ndodh në Shqipëri.
ÇMIMI I ZHDOGANIMIT TË VAJIT TË MISRIT (Burimi Dogana)
Janar 189 lekë/litri
Shkurt 241 lekë/litri
Mars 221 lekë/litri
Prill 366 lekë/litri
Maj 228 lekë/litri
Mesatarja 245 lekë/litri
IMPORTI I VAJIT TË MISRIT (Burimi Dogana)
Janar-Maj 2022 474,870 litra
Janar-Maj 2021 1,402,786 litra
Diferenca -927,916 litra
IMPORTI SIPAS SHTETEVE (Burimi Dogana)
Italia 283,774 litra
Turqia 165,585 litra
Greqia 24,774 litra
RMV 562 litra
Gjermania 330 litra
Sllovenia 31 litra
Austria 23 litra
Belgjika 17 litra
Korea e Jugut 8 litra
Total 474,870 litra
a.m/dita