Ngjarja e rëndë e ndodhur në Librazhd disa ditë më parë, ku në një video të shpërndarë në media dukej një vajzë që dhunohej, pasi ishte kapur nga familjarët e burrit me një tjetër mashkull në shtëpi, është komentuar ditën e sotme edhe nga avokatja e Popullit, Erinda Ballanca në Komisionin e Ligjeve.
Balanca u shpreh se shoqëria shqiptare vijon të jetë e dhunshme, teksa u tha se duhet të marrë fund vlerësimi i personave për shkak të gjinisë së tyre.
“Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet shoqëri e dhunshme. Unë që vitin e parë në fjalën e drejtuar Kuvendit kam deklaruar se dhuna do të sjellë një ashpërsim të gjuhës edhe në nivele të tjera te të rinjtë. Nuk jemi rritur në një ambient të tillë dhe prapë jemi bërë të dhunshëm.
Vazhdon të mbetet i ulët niveli i kuptimit të tjetrit për mendimin e tij ndryshe. Për rastin e djeshëm mendoj se është rast i turpshëm, është një rast që na tregon se duhet të marrë fund vlerësimi i personave në përgjithësi dhe grave në veçanti për shkak të seksualitetit të tyre.
Gjithçka ne jemi sipas shoqërisë shqiptare formësohet nga seksualiteti. Unë e mirëpres që edhe ju të keni ndonjë kërkesë konkrete por marrëdhënia jonë me komisionerin është e shkëlqyer për bashkëpunimin”, tha Ballanca.
a.m/dita