“Presidenti francez, Emmanuel Macron ka dhënë një deklaratë në parim, për këtë gjë duhet të flet në Bruksel, por është tashmë e qartë se ajo çfarë ka thënë nuk është alternativë ndaj zgjerimit [të BE-së me Ballkanin Perëndimor]”, ka thënë emisari evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, pyetur të komentojë rreth idesë së Macron për të krijuar një komunitet politik evropian në kuadër të BE-së, e që i referohej edhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Lajçak konsideron se një ide e tillë e Macron është suplement ndaj procesit të zgjerimit dhe propozim ndaj vendeve që nuk kanë perspektivë evropiane, raportuan mediat malazeze.
Ajo që u interpretua dhe u lexua si një prospekt tejet pesimist, për Lajçakun nuk qëndron.
“Sigurisht, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të acarohen nga ai propozim, dhe absolutisht që Mali i Zi nuk duhet të bëhet nervoz nga propozimi. Ju e keni perspektivën e juaj evropiane dhe premtimin për anëtarësim të plotë në BE, dhe kjo nuk ndryshon”, ka siguruar Miroslav Lajçak.
Madje, Lajçak thotë se me të nisur agresioni rus mbi Ukrainën, BE ka qenë edhe më e hapur rreth procesit të zgjerimit. Ai e ftoi Malin e Zi të shfrytëzojë këtë momentum politik në avantazh të saj.
“Mali i Zi ka një trajektore të qartë që përfundon në anëtarësim të plotë dhe ky proces është në duart e juaja”, ka thënë Miroslav Lajçak.
Çfarë ka propozuar Macron?
Në një fjalim Macron bëri një dallim midis Ukrainës dhe “disa vendeve në Ballkanin Perëndimor që kanë filluar procesin e tyre të anëtarësimit”.
Megjithatë, disa vende të rajonit, si Shqipëria, besojnë se ideja mund të zbatohet edhe për to, duke nënvizuar problemet me procesin aktual të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, një rajon që iu premtua perspektiva e anëtarësimit në BE gati njëzet vjet më parë.
Sipas Macron, “ne duhet të gjejmë shumë qartë një mënyrë për të menduar për Evropën tonë, unitetin dhe stabilitetin e saj, pa dobësuar afërsinë e ndërtuar brenda Bashkimit tonë Evropian”.
Ai vlerësoi se anëtarësimi i Ukrainës do të zgjaste të paktën disa vjet, më shumë gjasa disa dekada.
Prandaj, Macron propozoi një organizatë të re evropiane – Komunitetin Politik Evropian – që do të lejonte një hapësirë “për bashkëpunim politik dhe të sigurisë, bashkëpunim në sektorin e energjisë, në transport, investime, infrastrukturë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe në veçanti të rinia”.
Për ata që kanë ndjekur qëndrimet politike të presidentit Macron, ky propozim nuk ishte aq i papritur.
“Ai është konsistent me atë që ka thënë pesë vitet e fundit: domethënë 27 (anëtarë) tashmë janë shumë, ne nuk mund të vazhdojmë kështu pa ndryshuar rregullat tona të brendshme dhe pa diskutuar se çfarë duam të arrijmë si bashkim politik… Ai mund (gjithashtu) të thotë lehtësisht se po rrezikon të mendojë jashtë kutisë kur të gjithë të tjerët janë të kënaqur me iluzionin se zgjerimi jofunksional është e vetmja lojë në qytet”, pati thënë Loic Tregoures, pedagog në Institut Catholique de Paris.
Shtrohet pyetja nëse ky skenar është krejtësisht jashtë tavolinës për Ballkanin Perëndimor dhe nëse për disa vende është më realist se të tjerët.
Një parakusht për këtë diskutim, natyrisht, do të ishte një marrëveshje e të gjitha shteteve anëtare të BE-së për të krijuar një organizatë të tillë. Kjo nuk është gjithashtu e sigurt, siç ishte rasti me propozimet e mëparshme, më ambicioze të Macron për të reformuar BE-në.
a.m/dita