Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Gabriel Garsia Markez dhe e vërteta: Si e ushqeu gazetaria fantazinë e shkrimtarit

Me tregimet e shkurtra të shkruara në vitet 1940 dhe fillimin e viteve 50, dhe të përmbledhura më vonë në librin “Sytë e një qeni blu”, i ndjeri Gabriel Garsia Markez, shkrimtari kolumbian fitues i çmimit Nobel, tregon se ai është ende një shkrimtar i ri, me një stil dhe subjekte që mund të jenë jo tipike.

Stilistikisht, Merkez e arriti kulmin me romanin “Njëqind vjet vetmi”. Në atë moment, stili dhe thelbi i tij morën një kurs kaotik. Ai arriti nivelin e novelave që më pas u bënë skenarë për filma si “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, apo me eksperimentin teknik në novelën “Gjethurinat”, romanin e shkurtër anekdotik tek “Ora e ligë”, apo eksplorimi i politikës tek“Funerali i nënëmadhes” .

Gjatë gjithë kohës, aftësitë që shfaqi Markez ishin më tepër ato të një xhongleri të talentuar. Megjithatë unë mendoj se zanati i tij, e lejoi stilin e tij jo vetëm që të evoluonte më fort, por u bë burimi ushqyes i tonit hiperbolik në romanet “Njëqind vjet vetmi”, “Vjeshta e Patriarkut” dhe “Dashuria në kohën e kolerës”.

Mençuri, humor, ironi

Në vitet 1950, Markez kultivoi dy zhanre:komentin e lehtë mbi lajmet (qoftë për qeverinë argjentinase, mbi një film, apo mbi një funeral) dhe kronikën e zezë. Të parën ai e trajtoi gjatë disa viteve që punoi tek “El Universal” dhe “El Heraldo” (dy të përditshme kolumbiane).

Komentet e tij, të mbledhura dhe të studiuara nga Zhak Zhilar në librin e tij “Tekstet bregdetare,1948-1952),  përfaqësojnë një rrëfim inteligjent dhe mendjemprehtë, dhe janë ndonjëherë po aq madhështore sa ndonjë pasazh në një nga veprat e tij madhështore.

Në “La primera caída” (Vjeshta e parë), një artikull mbi dramaturgun e famshëm britanik Xhorxh Bernard Shou, i botuar në shtatorin e vitit 1950, ai shkroi se “në moshën kur shumica e njerëzve i përkushtohen detyrës së lodhshme për t’u shndërruar në pluhur, zoti Xhorxh Bernard Shou thotë se shëtit ende rregullisht me shumë gjallëri në kopshtin e tij për të mbajtur trupin në formë”.

Kur Shou vdiq në Ditën e të Vdekurve, si rezultat i asaj rrëzimi aksidental, Markez vuri në dukje: ”Zoti Xhorxh Bernard Shou, zgjodhi të vdiste më 2 nëntor, që është padyshim dita më e përshtatshme për atë detyrë të bezdisshme”.

Komentet e tij të lehta janë ndonjëherë po aq madhështore sa një pasazh në një nga veprat e tij madhështore. Ironia në vëzhgimet e tij (“detyra e bezdisshme” e vdekjes), nuk është ndryshe nga ky pasazh i famshëm në novelën “Vjeshta e Patriarkut”:”…Një pasdite janari, ne pamë një lopë që sodiste muzgun nga ballkoni presidencial. Imagjinoni një lopë në ballkonin e mëmëdheut…, hamendësoni pak se si një lopë mund të kishte arritur deri në atë ballkon, kur të gjithë e dinë se lopët nuk mund t’i ngjisin sot shkallët, qoftë edhe në shkallë prej guri, dhe aq më pak me shkallët e shtruara me tapet…”.

I njëjti humor, i skalitur ndonjëherë nga sarkazma, është i dukshëm tek tregimi “Puthja:Një reaksion kimik). Pasi tregon se si një shkencëtare e quajtur zonja Uillkinson kishte sugjeruar se puthja ishte metoda që kishin zbuluar njerëzit e lashtë për të konsumuar kripë në muajt e nxehtë të vitit, Markez shkruan:”Tani e tutje nuk do të ketë nevojë të ftojmë askënd që të vijë dhe të vëzhgojë Hënën bashkë me ne. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të ulemi në një stol në park, dhe të hamë në mënyrë romantike gjysmë kg kripë”.

I njëjti humor i zi përdoret për të përshkruar (tek romani Njëqind vjet vetmi) një burrë që bie nga një çati për të parë Remedios-in e bukur. Markez shkruan tek “Posibilidades de la antropofagjia” (Mundësitë e kanibalizmit) se “nuk do të ishte e çuditshme nëse një nga këto ditë, kur të kenë mbaruar të gjitha furnizimet, të ligjërohet shitja e viktimave që bëhen kurban”.

Traditat kulturore dhe gjeografitë mitike

Në tregimin “A Luis Carlos López con veinte años de mueste” (Për Luis Karlos Lopezin, 20 vjet pas vdekjes), ai shkruan se një kusht i domosdoshëm për të njohur poetin Lopez personalisht ishte “të ishe të paktën 30 vjeç”. Zgjedhja e një detaji të zakonshëm por disonant (30, dhe jo 32 vjeç), do të rikthehej vite më vonë në fillimin e romanit “Njëqind vjet vetmi”.

Si një gazetar i kronikës në “El Espectador” , ai zgjeroi potencialin e këtij regjistri duke hedhur bazat e fantazisë dhe realizmit. Nuk është rastësi që kronikat e tij të para iu kushtuanLa Sierpe, një qytet legjendar në bregun kolumbian buzë Atlantikut.

“La Marquesita de la Sierpe” nis me historinë e një burri që ndodhet në zyrën e mjekut, dheqë pret të shpëtojë nga majmuni që mbante në bark. Ai ishte mbarsur nga magjia, e përdorur aq shpesh si një ndëshkim rreth La Sierpe. Kronikat e tij, të cilat raportojnë për një gjeografi fantastike dhe për kafshët e saj, përshkruajnë dema me krahë apo të ngordhur që vijnë nga bota e përtejme duke goditur butësisht një arkivol.

Dashuria e Markezit për hiperbolën dhe zgjuarsinë, gjen një terren më të gjerë e më të frytshëm në botën e traditave kulturore dhe të fantazive mitike, publike dhe të trashëguara, sesa në terrenin e rrëshqitshëm të çështjeve të aktualitetit.

Nga realja tek trillimi

Është interesant fakti që stili i cili dha mundësi Markezit të përpunonte shumë nga përvojat e tij të jetës reale, identifikohet më ngushtë me punën e tij në media sesa përpjekjet e tij të hershme për të shkruar ngjarje të trilluara.

Pavarësisht mjeshtërisë që karakterizon libra të tillë si “Ora e ligë” dhe “Gjethurinat”, duket se Markez gjeti tek fantazia e tij lindur mbi ngjarjet e përditshme, një bazë nga ku mund të ngrihej si një rrëfimtar i madh. Shkrimtarët aspirantë priren të kërkojnë miratimin e botës letrare përmes imitimit të modeleve dhe përshkrimit artificial të emocioneve.

Unë mendoj se me shkrimin e kronikave të lajmeve dhe komenteve të shkurtra, Markez as  pretendonte, as imitonte, dhe as kërkonte miratimin e botës letrare. Liria e shkrimit të kronikave të zakonshme po e shndërronte atë në shkrimtarin që do ta njihnin të gjithë. Sepse kronikat e tij për “El Espectador” janë shkruar vetëm 13 vjet para romanit “Njëqind vjet vetmi”.